Largimi i filmbërësit Danny Boyle nga projekti i ri për James Bond ishte i pashmangshëm pasi që u bë "në thelb e pamundur" të dakordoheshin për drejtimin e filmit, sipas producentes Barbara Broccoli.
Regjisori i “Slumdog Millionaire” fillimisht ishte angazhuar që ta shkruajë skenarin dhe ta marrë përsipër regjinë e filmit, i cili e kishte titullin punues Bond 25, por ai i shokoi adhuruesit në gusht të vitit 2018, kur njoftoi se nuk ishte më i përfshirë.
Në atë kohë ai i fajësoi "dallimet kreative" për ndarjen në fjalë, ndërsa Boyle më vonë e pranoi që ai dhe anëtarët e tjerë të ekipit të Bond thjesht kishin ide shumë të ndryshme për të ardhmen e sagës së superspiunit.
Tani Broccoli tregon anën e saj, duke e pranuar se vendimi për ndarjen ishte një vendim i vështirë, por një vendim që u bë i domosdoshëm pas ngërçit në zhvillimin e filmit, shkruan KOHA Ditore.
"Ishte e vështirë nga të dyja palët, sepse kishim respekt dhe admirim të ndërsjellë, por më mirë të dihen dallimet para se të filloni me projektin", tha Broccoli për “Variety”.
"Kemi punuar së bashku disa muaj, por erdhi një pikë kur po diskutonim se çfarë lloji të filmit donim të bënim, dhe të dy arritëm në përfundimin që nuk ishim në një linjë."
"Filmat janë shumë të vështirë për t’u realizuar kur të gjithë jeni në të njëjtën “frekuencë”. Kur nuk jeni, është në thelb e pamundur", vazhdon ajo. "Ne e kuptuam këtë dhe në një mënyrë të respektueshme e kuptuam se nuk do të funksiononte."
Cary Joji Fukunaga u angazhua si zëvendësim i Boyle, ndërsa Broccoli është plot lëvdata për regjisorin e “Beasts of No Nation” për sjelljen e një "qasjeje të re dhe të freskët" në franshizën e filmit aksion në filmin e ardhshëm “No Time to Die”, vazhdimi i fundit në të cilin luan Daniel Craig si agjenti 007.
"Ai e ka bërë një film emocionalisht tërheqës", tha ajo. "Filmi është epik si në shkallën emocionale ashtu edhe në shkallën vizuale."
“No Time to Die”, kolonën zanore të të cilit e këndon Billie Eilish dhe me kolonën zanore instrumentale me Hans Zimmer dhe rockerin Johnny Marr, do të dalë në prill të vitit 2020.