Spike Lee do ta udhëheqë jurinë e sivjetme të Kanës Foto: Reuters

Spike Lee do ta udhëheqë jurinë e sivjetme të Kanës

14 January 2020 19:15

Regjisori amerikan, Spike Lee, është emëruar president i jurisë së sivjetme të festivalit prestigjioz të filmit në Kanë. Lajmin e kanë bërë të ditur organizatorët e kësaj ngjarjeje, në mëngjesin e sotëm.

Regjisori 62-vjeçar, i cili e merr përsipër këtë rol pas regjisorit meksikan, Alejandro Gonzalez Inarritu, do të drejtojë panelin e jurisë të cilët e vendosin fituesit e “Palmës së Artë” të edicionit të 73-të të këtyre shpërblimeve.

"Jam i nderuar që jam personi i parë afrikano-amerikan, që jam emëruar presidenti i jurisë së Kanës, në një prej festivaleve më të mëdha të filmit në botë”, ka deklaruar Lee përmes një komunikate për media.

Filmi i tij i fundit "BlacKkKlansman", e fitoi çmimin “Grand Prix” të Kanës, në vitin 2018. Ndërsa lajmi për përfshirjen e tij në panelin e jurisë sivjet, vjen pasi organizatorët e ceremonisë Oscar u përballën sërish me kritika për mungesë të diversiteti në mesin e personave të nominuar sivjet.

"Është e vërtetë që përfaqësimi i artistëve me ngjyrë, nuk është i mjaftueshëm në industrinë e filmit", citohet të ketë thënë drejtori i festivalit të Kanës, Thierry Fremaux, në radio stacionin “RTL” të Francës.

Festivali i sivjetmë i filmit në rivierën franceze, i cili njihet për mbledhjen e disa prej emrave më të mëdhenj të kësaj industrie në një vend, do të mbahet nga 12 deri më 23 maj. Ndërsa, emrat e anëtarëve të tjerë të jurisë dhe programi i filmave, do të bëhen të ditura kah mesi i muajit prill.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme