Dr. Dolittle mban audicionet për kafshët

Dr. Dolittle mban audicionet për kafshët

13 December 2019 21:10

Me tregime të ndryshme rreth problemeve gjatë produksionit, përleshje me regjisorët dhe ndryshime në skenar, filmit Dolittle do t’i bënte mirë pak publiciteti pozitiv.

Reagimet ndaj fragmentit, i cili doli në tetor, gjithashtu nuk ishin shumë pozitive, kështu që ekipi i marketingut vendosi ta përmirësonte përshtypjen e shikuesve duke e postuar një video të re, e cila në vete nuk e përmban asnjë pamje nga filmi, por i ka dy elementet më të rëndësishme - kafshët dhe Robert Downey Jr.

Videoja e shkurtër na sjell Downey Jr. duke mbajtur audicion për miqtë e tij kafshë nga filmi, por për disa filma të tjerë, nga “Scarface” e deri tek “Jurassic Park”. Nga studioja me siguri shpresojnë që simpatia e jashtëzakonshme e aktorit kryesor dhe kafshëve nga filmi megjithatë do t’i tërheqë shikuesit në kinema.

Ngjarja në filmin “Dolittle” na sjell Downey Jr. në rolin e ekscentrikut Dr. John Dolittle, mjekut dhe veterinerit të famshëm në Anglinë viktoriane, i cili e humb gruan e tij, shkruan KOHA Ditore. Shtatë vjet më vonë, ai është plotësisht i ndarë prapa mureve të larta të pronës së tij, në të cilën jeton i vetëm me një mori kafshësh ekzotike të cilat i bëjnë shoqëri. Por kur mbretëresha e re (Jessie Buckley) sëmuret rëndë, Dolittle detyrohet të niset në një aventurë epike në ishullin mitik në kërkim të ilaçit.

Një ekip i aktorëve të njohur ua ka huazuar zërin kafshëve në filmin “Dolittle”, përfshirë Rami Malek, Octavia Spencer, Ralph Fiennes, Emma Thompson, Tom Holland, Marion Cotillard, Kumail Nanjiani dhe John Cena.

Dr. Dolittle dhe miqtë e tij kafshë do të nisen në aventurë në fillim të janarit 2020.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme