Tërmeti i fuqishëm që goditi javën e kaluar Shqipërinë, ka nxitur reagimin edhe të artistëve botërorë që veprojnë në botë.
Aktorja e njohur, Eliza Dushku do të organizojë një mbrëmje bamirësie në Harvard.
Përmes kësaj iniciative, banorët e Bostonit dhe studentët e universitetit në këtë zonë do të kenë mundësinë të kontribuojnë për familjet e prekura nga tërmeti.
Me këtë rast, do të shfaqet dokumentari “Dear Albania” i Eliza Dushkut, raporton “Express” i KTV-së.
Në dokumentarin “Dear Albania” Eliza dhe vëllai i saj Nate udhëtojnë për në Shqipëri ku eksplorojnë 15 qytete unike në të gjithë vendin.
Përmes dokumentarit, ata zbulojnë të tashmen e Shqipërisë, të kaluarën e saj dhe dëgjojnë për shpresat dhe për të ardhmen.
Për të dy, udhëtimi në shtëpinë e tyre stërgjyshore bëhet një zbulim kulturor, historik dhe personal.
Shfaqja është falas, ndërsa aty do të mund të dhurohen fonde që do të shkojnë drejtpërdrejt tek individët e prekur nga tërmeti ose organizata jofitimprurëse që punojnë për t’i ndihmuar ata.
Dokumentari do të shfaqet këtë të premte në ora 19:00, në Auditoriumin Tsai në Qendrën për Qeverisje dhe Studime Ndërkombëtare - në Universitetin Harvard.