Showbiz

Dave Grohl këndon me Muppetët në ‘Sesame Street’

Sesame Street e fillon sezonin e vet të 50-të këtë të shtunë (16 nëntor) me ç’rast e kanë angazhuar Dave Grohl për t'i ndihmuar që ta festojnë përvjetorin e ngjarjes. Frontmeni i “Foo Fighters” iu bashkua Muppetëve Big Bird dhe Elmo për ta kënduar "Here We Go".

Në video mund të shihet që Grohl prezantohet nga Elmo, shkruan KOHA Ditore. "Është bukur që kam ardhur këtu të jem me miqtë e mi, Big Bird dhe Elmo", thotë ai. "Po mendoja. Ka miq kudo, madje edhe ata që nuk i njihni". Pasi që Big Bird përpiqet ta kuptojë logjikën e asaj fjalie, Grohl shpjegon, "Thjesht dua të them se ka shumë njerëz në të gjithë Amerikën me të cilët mund të jemi miq. Vetëm se nuk i kemi takuar ata ende".

Big Bird duket i entuziazmuar nga ky koncept, ndërsa më pas e fillojnë këngën, e cila flet për gëzimet e udhëtimit nëpër SHBA dhe mësimit për larminë e vendit: "Here we go / We're on our way / New adventure every day / Gonna try new foods and learn new names / Sing new songs and play new games." Derisa këndojnë, prapavija pas tyre zhvendoset në lokacione të ndryshme - urbane, rurale, periferike, male dhe shkretëtirë - në të gjithë vendin.

NME thekson se përfshirja e Grohl në show u zbulua për herë të parë vitin e kaluar, kur fotografitë nga xhirimet e tij u shfaqën në mediat sociale, dhe se ky nuk ishte takimi i tij i parë me ndonjë Muppet. Në vitin 2015, ai e performoi një “betejë baterish” me Animal në serinë televizive jetëshkurtër të “The Muppets” në ABC.