Showbiz

Ricky Gervais do ta drejtojë “Golden Globes” për herë të pestë

Komediani britanik Ricky Gervais do ta udhëheqë “Golden Globe” për herë të pestë, respektivisht ceremoninë e vitit 2020.

Gervais më parë e pati një paraqitje kontroverse nga viti 2010 deri në 2012 dhe u kthye ta drejtonte ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Hollywood Foreign Press Assocation (HFPA) për të katërtën herë në vitin 2016.

Edhe pse më parë deklaroi se kurrë nuk do ta bënte përsëri, Gervais do të kthehet që ta drejtojë ngjarjen në janar (20), njoftuan të martën (12 nëntor) drejtuesit e HFPA-së.

Komediani në një deklaratë theksoi: "Edhe një herë, ma bënë një ofertë që nuk mund ta refuzoja. Por kjo është hera e fundit që po e bëj këtë, gjë që mund ta bëjë një mbrëmje argëtuese."

Gjatë paraqitjeve të tij të kaluara si drejtues, krijuesi i “The Office” i ka shokuar të pranishmit dhe shikuesit me tallje për aktorët më të njohur të Hollywoodit, përfshirë Bruce Willis, Mel Gibson, Ben Affleck dhe Jennifer Lawrence, shkruan KOHA Ditore.

Lorenzo Soria, presidenti i HFPA-së shtoi: "Kur Ricky Gervais e drejton Golden Globes Awards, gjithmonë mund t’i presim të papriturat."

Ceremonia e 77-të e “Golden Globes” do të mbahet në Beverly Hilton në Beverly Hills, Californi, më 5 janar, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në SHBA në rrjetin NBC. Të kandiduarit do të shpallen më 9 dhjetor.