Showbiz

Anthony Mackie dhe Samuel L. Jackson në fragmentin e "The Banker"

Si t’i japim fund segregacionit dhe pabarazisë racore në Amerikë? Samuel L. Jackson dhe Anthony Mackie në filmin “The Banker” e kanë zgjidhjen për këtë.

”The Banker” u xhirua sipas historisë së vërtetë të dy agjentëve të pasurive të patundshme dhe biznesmenëve Bernard Garrett (Mackie) dhe Joe Morris (Jackson) të cilët në vitet e 1960-ta arritën të blinin banka dhe shtëpi në lagjen e ”bardhë” në mënyrë që t’ua japin me kredi zezakëve të cilët thjesht donin ta realizojnë ëndrrën e tyre amerikane në botën ku akoma ndihej ende shumë segregacioni.

Garrett dhe Morris nuk janë vetëm. Ata e angazhojnë Matt Steinerin (Nicholas Hoult) dhe e mësojnë gjithçka që dinë, në mënyrë që ai t’i bëjë të gjitha transaksionet dhe të bisedojë me të bardhët e pasur, ndërsa ata të dy e luanin shoferin dhe portierin e tij, shkruan KOHA Ditore. Edhe pse gjithçka shkonte sipas planit, problemi lind kur për këtë plan biznesi mëson qeveria federale.

Regjinë e këtij tregimi interesant e bën George Nolfi ndërsa skenarin e kanë shkruar Niceole Levy, Nolfi, David Lewis Smith dhe Stan Younger bazuar në tregimin e David Lewis Smith, Stan Younger dhe Brad Caleb Kane. Në rolet e tjera paraqiten edhe Nia Long, Jessie T. Usher, Paul Ben-Victor, Gregory Alan Williams dhe Michael Harney.

Image

“The Banker” është filmi i parë artistik të cilin Apple do ta transmetojë përmes platformës së vet Apple TV+. Filmi së pari do të shfaqet në AFI Fest midis 14 dhe 21 nëntorit, pastaj më 6 dhjetor do ta ketë premierën në kinematë e përzgjedhura, ndërsa më 31 janar 2020 do të mbërrijë në Apple TV+.