Andy Serkis dhe Colin Farrell kandidatë për role në “Batman”

Andy Serkis dhe Colin Farrell kandidatë për role në “Batman”

08 November 2019 10:35

Aktori britanik Andy Serkis thuhet se është në bisedime për të shërbyer si batleri besnik i Batmanit në filmin e ardhshëm superheroik nga regjisori Matt Reeves.

Nëse ylli i “Black Panther” pranon ta luajë Alfred Pennyworth për “Batman|, kjo do ta shënojë ribashkimin me Reeves, i cili punoi me të në “Dawn of the Planet of the Apes” në vitin 2014, dhe vazhdimin e vitit 2017, “War for the Planet of the Apes”, raporton TheWrap.com.

Karakteri Pennyworth së fundi është luajtur nga Michael Caine në trilogjinë e “The Dark Knight” të Christopher Nolan, dhe Jeremy Irons në “Batman v Superman: Dawn of Justice” dhe “Justice League”.

Ndërkohë, Colin Farrell është gjithashtu në negociata për t'iu bashkuar formacionit yjor si The Penguin, sipas Deadline, duke e marrë rolin të cilin e kishte luajtur Danny DeVito në “Batman Returns” të Tim Burton, në vitin 1992.

Lajmi për angazhimin potencial vjen menjëherë pasi që u pohua se Matthew McConaughey do ta luajë rolin e Prokurorit të Qarkut të Gotham City, Harvey Dent, i cili më pas bëhet kundërshtari i Batmanit, karakteri i quajtur Two-Face, shkruan KOHA Ditore.

Robert Pattinson do ta udhëheqë kastin si Batmani i ri, ndërsa Zoe Kravitz do të luajë si Catwoman, Paul Dano si The Riddler dhe Jeffrey Wright si Komisioneri i policisë Jim Gordon.

“The Batman” pritet të dalë në qershor 2021.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme