Showbiz

Victoria Beckham heq dorë nga kanali i saj në YouTube për shkak të të hyrave prej vetëm 30 dollarësh në ditë

Ish-anëtarja e bendit “Spice Girls” dhe bashkëshortja e David Beckham, Victoria Beckham, hoqi dorë nga kanali i saj në YouTube, sepse nuk fitonte para të mjaftueshme.

Beckham në kanalin e saj i inkasonte vetëm 30 dollarë në ditë. Megjithëse kanali i Victorias i ka 100,000 abonentë, ndërsa videoja më e njohur i ka 600,000 shikime, si duket kjo nuk është e mjaftueshme të fitojë aq para sa investon për xhirimin e videove.

Victoria në videot e saj në YouTube u ka dhënë fansave në të gjithë botën këshilla për bukurinë.

"Në kanalin në YouTube ishte e pamundur të fitoje para, kështu që vendimi ishte të tërhiqej. Megjithëse Victoria kënaqej me xhirimin e videove, fatkeqësisht shpenzimet ishin më të larta se të ardhurat dhe ajo hoqi dorë," tha një burim për The Mail.

Megjithatë, nga ekipi i kreatores thanë për Insider se kanali në fakt nuk është mbyllur, por se Victoria momentalisht nuk kishte kohë të postonte përmbajtje, shkruan KOHA Ditore.

Business Insider në gusht raportoi se disa YouTuberë i kishin humbur mijëra dollarë sepse kanalet e tyre ishin demonetizuar gabimisht për muaj të tërë.