Showbiz

Tom Hanks: Cinizmi është bërë pjesë e jetës së përditshme dhe marrëdhënieve njerëzore, sepse sjell para

Tom Hanks theksoi se rritja e madhe e cinizmit në shoqëri është një nga arsyet që e shtyu atë ta pranojë rolin e argëtuesit të fëmijëve në filmin e ri “A Beautiful Day in the Neighborhood”.

Aktori e luajti Fred Rogersin në filmin e ri, prezantuesin televiziv, muzikantin dhe producentin legjendar amerikan i cili ishte i njohur për shpirtin e tij të ngrohtë dhe të shëndetshëm.

"Cinizmi është bërë një pjesë e jetës së përditshme dhe marrëdhënieve njerëzore. Pse? Sepse është i lehtë dhe me cinizëm mund të fitohet shumë, gjë që sjell para. Cinizmi është një produkt i shkëlqyeshëm për shitje dhe është një fillim i shkëlqyeshëm i hulumtimit të çdo gjëje. Mendoj se kur Fred Rogers i pa për herë të parë programet për fëmijë, ai pa diçka që ishte cinike, dhe pse do të vendosnit diçka cinike para fëmijëve 2-vjeçar ose 3-vjeçar? Nuk jeni cool, sepse nuk keni lodra? Është qesharake të shohësh se si dikush goditet në kokë? Ky është një trajtim cinik i publikut me të cilin jemi mësuar aq shumë saqë kur e shohim ndonjë mesazh të thjeshtë si “hej, e dini çfarë, është një ditë e bukur në lagje”, është sikur të na e mëshojnë shuplakë. Na lejohet, mendoj, të ndihemi mirë. Ka vend për cinizëm, por pse të fillojmë menjëherë ashtu?", pyet Hanks.

Rogers ka qenë prezantues i emisionit për fëmijë “Mister Rogers’ Neighborhood”, i cili u transmetua në Shtetet e Bashkuara nga viti 1968 deri në vitin 2001, shkruan KOHA Ditore. Në filmin biografik të regjisores Marielle Heller do të shfaqet tregimi për Tom Junod, gazetarin cinik, i ngarkuar me intervistimin e Rogersit. Rolin e gazetarit do ta luajë Matthew Rhys.

Dy meshkuj plotësisht të panjohur do të bëhen ngadalë miq, dhe Rogers do t'i japë Junodit këshilla dhe mësime të ndryshme se si të mos jetë kaq cinik dhe të përqendrohet në mirësi dhe dhembshuri.

Ngjarja e plotë do të përqendrohet në atë se si Rogers ndikoi tek njerëzit përreth tij, ndërsa fituesi i dyfishtë i çmimit “Oscar” e mishëroi në mënyrë të përkryer prezantuesin e dashur televiziv.

"A Beautiful Day in the Neighborhood" do të mbërrijë në kinematë amerikane më 22 nëntor.