Tom Holland ka folur në lidhje me të ardhmen e Spider-Man në Universin Kinematik të Marvel (MCU), duke e pranuar se ajo do të jetë "ndryshe".
Drejtuesit në Disney dhe Sony Pictures nuk arritën marrëveshje për përdorimin e superheroit rrjetëgjuajtës, që do të thotë se Spider-Man nuk do t’i huazohet më Marvelit.
Duke folur për lajmin se Disney nuk ka plan ta përfshijë Spider-Manin në asnjë nga projektet e ardhshme të MCU, Holland i siguroi fansat se ai do të vazhdojë ta luajë Peter Parkerin.
"Në thelb, i kemi bërë pesë filma të shkëlqyeshëm. Kanë kaluar pesë vite të mahnitshme. Kam kaluar për mrekulli. Kush e di se çfarë do të sjellë e ardhmja?” tha ai për Entertainment Weekly në fan expo Disney D23. "Por e gjitha që e di është se do të vazhdoj ta luaj Spider-Manin dhe të kaloj për mrekulli. Do të jetë kaq argëtuese, sido që zgjedhim ta bëjmë."
"E ardhmja për Spider-Manin do të jetë e ndryshme, por do të jetë po aq e mrekullueshme dhe e mahnitshme, dhe do të gjejmë mënyra të reja për ta bërë atë edhe më të hatashëm."
Ai iu referua shkurtimisht këtij lajmi derisa ishte në skenë në D23 së bashku me Chris Pratt dhe Julia Louis-Dreyfus për ta promovuar filmin e tyre të ri të Pixar, “Onward”, shkruan KOHA Ditore. "Tung të gjithëve, ka qenë një javë e çmendur, por dua që të gjithë ta dini që ju dua nga zemra 3000 herë", i tha 23-vjeçari audiencës, duke iu referuar citatit tani të famshëm të Tony Stark nga Avengers: Endgame.