Showbiz

Pas magjisë së Prishtinës, Alban Skenderaj konfirmon datën e koncertit në Tiranë

Mbas magjisë së Prishtinës, Alban Skenderaj thotë se do të zbresë në skenën e amfiteatrit të Tiranës për të mbajtur koncertin recital “Nën yjet e Tiranës”.

Ai thotë se kur ka për të konfirmuar një lajm të tillë të mirë, ndjehet paksa euforik.

“Në raste të tilla ndoshta jam gjithmonë paksa euforik por këto janë lajmet dhe postimet që më lumturojnë vërtetë dhe që do të doja të ndaja shumë më shpesh me ju! Koncertet e mia recitale përveç se pasioni im tashmë janë një pikë e fortë dhe një pjesë tepër e rëndësishme e karrierës time artistike, për të tashmen dhe të ardhmen e saj. Është aty ku unë mundem dhe dua të flas me artin tim në cilësinë dhe lartësinë e tij maksimale! Jam i vetëdijshëm që gjatë gjithë këtyre viteve që bëj muzikë, dashamirës nga të gjitha moshat që vërtetë i duan krijimet e mia, presin besnikë e me durim të hekurt nga unë ngjarje të mirëfillta ku mund të përputhen standardet më të mira artistike, profesionale dhe njerëzore”, shkruan Alban Skenderaj.

Tutja ai ka konfirmuar se koncerti do të mbahet më 27 shtator.

“E pra atëherë, mbas magjisë së Prishtinës dhe mbas shumë kërkesave për një “Bis” koncerti im recital i ardhshëm do të mbahet në 27 shtator në amfiteatrin e Tiranës, i cili për një natë do të shkrihet me qiellin për t’i bërë vend muzikës”, ka shkruar ai.

Ai shton se ka pasur kohë të reflektojë dhe të përgatitet për ta pasuruar këtë koncert me ngjyra të reja artistike duke filluar nga repertori, skenografia, orkestra e deri tek të ftuarit specialë.

““Nën yjet e Tiranes” do të jetë një koncert sa romantik e reflektues aq dhe energjik e shpërthyes. Tirana dhe qielli i saj vërtetë ju përkasin të gjithëve tashmë ndaj ky koncert do i dedikohet edhe këtij qyteti që gjithmonë ka ditur të jetë mikpritës e t’i mbajë dyert hapur për çdo shqiptar që ka pasur diçka për të dhënë. Shumë shpejt do ju përditësoj rreth detajeve”, ka shkruar Alban Skenderaj.