Paul McCartney të dielën e përfundoi turneun e tij botëror “Freshen Up” dhe atë me një performancë në Los Angeles, ndërsa gjatë setit në stadiumin Dodger, muzikanti e ftoi Ringo Starrin që t’i bashkohej në luajtjen e disa këngëve klasike të Beatlesave legjendar në të cilat ata kishin punuar së bashku.
"E kemi një befasi për ne, një befasi për ju, një befasi për të gjithë. Zonja dhe zotërinj, Ringo Starr", tha McCartney ndërsa bateristi i Beatlesave u ngjit në skenë.
Dyshja u përqafua dhe i shkëmbeu disa fjalë, pastaj Ringo Starr u nis drejt baterive. Së bashku ata i interpretuan dy klasikë të Beatlesave "Sgt. Pepper's Lonely Hearts Club Band" dhe "Helter Skelter".
Befasitë e këtilla për publikun me regji të Paul McCartneyt nuk janë të pazakonta, shkruan KOHA Ditore. Ai më herët në një koncert e ftoi kitaristin e Eagles, Joe Walsh, që t’i performojnë së bashku këngët "Golden Slums", "Carry That Weight" dhe "The End".