Aktori i ri Cameron Boyce ishte yll i filmave dhe serive të Disneyt, i cili vdiq më 6 korrik në gjumë, ndërsa shkaku i vdekjes nuk dihej fillimisht.
Cameron për vite të tëra kishte luftuar me epilepsinë, dhe kishte marrë terapi për të minimizuar sulmet. Për fat të keq, përkundër luftës së guximshme, sëmundja fitoi.
Familja kishte konfirmuar vdekjen ndërsa adhuruesit dhe të famshmit ende shkruajnë fjalë ngushëllimi për të, shkruan KOHA Ditore.
“Tepër i ri. Tepër simpatik. Tepër komik. Tepër i mirë, fëmija më i talentuar dhe më i kulturuar që kam pasur rastin të njoh. E kam dashur këtë fëmijë. Ai kujdesej aq shumë për familjen e tij. Kujdesej për tërë botën”, ka shkruar aktori Adam Sandler duke shtuar që ishte mirënjohës për çdo gjë që kishte bërë aktori për të dhe tërë botën.
Cameron ishte lindur më 1999 ndërsa ishte bërë i famshëm me rolin në serinë “Jessie” dhe më vonë kishte radhitur sukseset në vepra të tjera televizive dhe filmike. Në kohën e lirë merrej me punë humanitare, ndërsa të afërmit do ta kujtojnë si person me zemër të madhe.