Showbiz

Cardi B dhe Eminem mes mysafirëve në projektin bashkëpunues të yjeve të Ed Sheeran

Reperët Cardi B, Eminem dhe 50 Cent i janë bashkuar Ed Sheeranit në studio për të kontribuar në albumin e tij të ri bashkëpunues.

Lista e këngëve për No.6 Collaborations Project të yllit të hitit “Perfect” u publikua të martën dhe në të shfaqen emrat e disa prej performuesve më të mëdhenj aktual të industrisë muzikore.

Mes këngëve është South of the Border, ku shfaqen Cardi B dhe Camila Cabello, dhe Remember the Name, në të cilën ribashkohet Sheeran me bashkëpunëtorin e tij nga kënga “River”, Eminem, së bashku me 50 Cent.

Kënga e paralajmëruar më parë me Bruno Mars, e titulluar “Blow”, gjithashtu do t’i ketë vokalet nga sensacioni i muzikës country Chris Stapleton, ndërsa Sheeran bashkohet me superyllin e muzikës dance Skrillex për këngën “Way to Break My Heart”, shkruan KOHA Ditore.

Artistët e tjerë të përfshirë në albumin 15-këngësh përfshijnë Travis Scott, Meek Mill, Khalid, Stormzy, Ella Mai dhe këngëtarja/kompozitorja në ngritje Yebba, si dhe Justin Bieber, i cili shfaqet në hit singlin I Don’t Care, si dhe Chance the Rapper dhe PnB Rock, të cilët i këndojnë vargjet nga hiti i sapo-publikuar “Cross Me”.

"Jam adhurues i madh i të gjithë artistëve me të cilët kam punuar në album", thotë Sheeran në një njoftim.

"Qoftë nëse i kam ndjekur nga fillimi i karrierës së tyre, ose i kam dëgjuar albumet e tyre vazhdimisht, ata janë artistë që më inspirojnë dhe të gjithë sjellin diçka të veçantë për çdo këngë. Mezi po pres që ta dëgjoni (albumin)! ".

“No. 6 Collaborations Project” do të publikohet më 12 korrik.