Seriali “Nusja nga Stambolli” vazhdon me episodet e reja premierë në KTV.
Sezoni i dytë në episodet e radhës ka arritur kulmin e shikueshmërisë.
Drama e ngjarje të njëpasnjëshme nuk kanë të mbaruar ende. Sëmundja e Adës ka tronditur të gjithë familjen Boran. Fikreti dhe Ipekja janë të mërzitur. Esma si gjithmonë vazhdon t’u japë kurajë të gjithë fëmijëve të saj dhe i këshillon që vetëm së bashku do ta mposhtin çdo sfidë që u shfaqet përpara. Krejt familja ka vetëm brengën që Ada të bëjë më mirë, dhe në episodet e radhës do të kuptohet se do të dalin rezultatet definitive për sëmundjen e saj.
Osmani ka vendosur të shkojë në Irak. Burxhu nuk pajtohet me këtë fakt dhe shkon të bisedojë me Esmanë që ta pengojë largimin e tij. Esma do të befasohet nga ky vendim i Osmanit dhe do të përpiqet ta detyrojë të tërhiqet nga vendimi i marrë. Nga ana tjetër hidhërimi mes Farukut dhe Osmanit do të ketë zgjidhjen gjatë episodeve të kësaj jave. Senemi do të vijojë kursin e shtatzënisë që të vetëdijesohet për shumë gjëra që gratë i paramendojnë ndryshe.
Ademi do të ballafaqohet me nënën e tij, e cila pas bisedës me Ademin do të vendosë të bëj një befasi të hidhur për Boranët.
Sikur çdo javë, edhe kjo do të ketë episode me shumë dramë, skenar dhe muzikë origjinale që do të na mbajnë të gjithëve pranë ekranit duke pritur me padurim zhvillimet e radhës.
“Nusja nga Stambolli” është serial i prodhuar në Turqi. Sezoni i dytë ka thyer rekordet e shikueshmërisë në kategorinë e telenovelave sidomos në vendet e rajonit dhe në Turqi.
Po ashtu, është nominuar në ceremoninë e 46-të të çmimeve “Emmy”, në kategorinë "Telenovela më e mirë".
Sikur çdo javë tjetër përcillni episodet e reja të "Nusja nga Stambolli" që transmetohet çdo ditë pune nga ora 21:30, vetëm në Kohavision.