Showbiz

Ditëlindja e 86-të e Nexhmije Pagarushës shënohet me një koncert

86-vjetori i Nexhmije Pagarushës, mbodhi në Sallë të Kuqe zërat më të bukur nga të gjitha viset shqiptare.

Ditëlindja e Bilbilit të Kosovës u festua me muzikë e poezi. Pas urimeve të artistëve, fjalimeve e mikpritjes, u kënduan këngët e saj më të dalluara, e po ashtu u interpretuan edhe këngët kushtuar saj, transmeton emisioni Express në KTV.

Në këtë mbrëmje, u promovua edhe kënga e kompozuar nga Pranvera Badivuku. Kjo nuk është hera e parë që kompozitorja kosovare i kushton vepër Nexhmije Pagarushës.

Ky kompozim kuptimplotë për këtë natë, u soll në skenë nga solisti Selami Kolonja.

Gjatë ditës se djeshme, këngë kushtuar Bilbilit të Kosovës, langoi edhe Shyhrete Behluli. Kënga në bashkëpunim me Learta Jakupin, solli një përshtatje të mrekullueshme zhanresh e zërash.

Kjo mbrëmje festive që shënoi ditëlindjen e yllit shqiptar u organizua nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë.

Gjatë kësaj mbrëmjeje solemne, u prezantua Kori i Shkollës së Muzikës në Prishtinë dhe solistet Eva Rusi, Rona Nishliu, Shkurte Fejza e Violeta Kukaj.