Në disa vjetët e fundit pak gjëra mund të na befasojnë kur bëhet fjalë për artin e shtatë. Producentët dalin me temat më të pazakonta për të tërhequr sa më shumë vëmendje dhe numër sa më të madh të njerëzve. Prandaj edhe nuk befasoi lajmi se Netflixi me të vërtetë po vazhdon me planin për bashkimin (crossoverin) e filmave “The Wizzard of Oz” dhe “Alice in Wonderland”, për të cilin ka pasur bisedime disa vjet më parë.
Pas një kohe të gjatë të fazës së planifikimit, si duket më në fund po lansohet projekti i paralajmëruar sepse u përzgjodh skenaristja e re, Anna Klassen, emri i së cilës u bë i famshëm në Hollywood në vitin 2017, pasi që skenari i saj për biografinë e J.K. Rowling u bë skenari më i njohur origjinal në Listën e zezë të Hollywoodit për atë vit.

Projekti do të duhej ta ketë titullin “Dorothy and Alice”, ndërsa skenarin origjinal e shkroi Justin Merz. Ngjarja e filmit u zbulua kur u paralajmërua projekti: E përndjekur nga makthet për shkatërrimin e Ozit, Dorothy Gale e gjen veten në shtëpinë që kujdeset për personat si ajo, me ëndrra shqetësuese dhe të gjalla. Derisa është atje, ajo takohet me vajzën misterioze Alice, të cilën e përfshin në misionin e rrezikshëm për shpëtimin e jo vetëm botës së fantazisë – të atyre për të cilët e kuptuam se janë të vërtetë, dhe jo vetëm ëndrra – por edhe të botës që e njohim.
Klassen do ta modifikojë këtë skenar, por nuk dihet ende nëse do të shmanget nga ideja kryesore për miqësinë në mes të dy heroinave nga botët fantastike, të cilat i lidh një përvojë e ngjashme dhe e pabesueshme, shkruan KOHA Ditore.
I gjithë projekti është ende në fazën përgatitore, ndërsa lajmin për fillimin e produksionit e presim së shpejti.