Showbiz

Bashkëthemeluesi i “Woodstock” mohon se shënimi i përvjetorit ka hasur në vështirësi

Bashkëthemeluesi i “Woodstock”, Michael Lang, ka mohuar pretendimet se ngjarja e tij e ardhshme për 50-vjetorin po kalon nëpër probleme financiare.

Ai e paralajmëroi festivalin e vitit 2019 në janar, duke deklaruar se ai do të mbahej më 16-18 gusht në Watkins Glen në New York – data këto të njëjta me ngjarjen origjinale. Planet për ta organizuar një 50-vjetor të ngjashëm në vendin origjinal të Bethel Woods Center for the Arts u modifikuan dhe u bë një festival sezonal dhe jo një festival i vetëm. Artistët kryesorë për fundjavën kryesore të kësaj ngjarjeje janë Santana dhe Ringo Starr.

Duke reaguar ndaj thashethemeve se mungesa e një njoftimi për formatin e këngëtarëve nënkuptonte se “Woodstock 50” ka hasur në vështirësi, Lang tha për Variety, "Gjithmonë ka pasur shumë thashetheme për “Woodstockun”. Ne kemi partnerë të shkëlqyeshëm dhe një formacion të pabesueshëm të talenteve me mbi 80 artistë, të cilët do të paralajmërohen brenda dy javëve të ardhshme. Po e përgatisim një ngjarje që mund të shihet një herë në jetë".

Duke e raportuar mundësinë që ngjarja mund të ketë hasur në vështirësi, Hits Daily Double tha se Dead & Co., Black Keys, Killers, Miley Cyrus, Jay-Z dhe Imagine Dragons ishin në mesin e artistëve që u kontaktuan për të performuar. Raporti gjithashtu sugjeron që janë paraqitur probleme me kapacitete. Lang po e bën “Woodstock 50” bashkë me bashkëthemeluesin Artie Kornfield, shkruan KOHA Ditore.

Carlos Santana kohët e fundit e shpjegoi vendimin e tij për t’u paraqitur në vendin origjinal në vend që të bashkohet me ngjarjen e Watkins Glen. "Ata e kanë një amfiteatër atje", tha ai. "Do ta ftoj këdo që është ende këtu, qoftë Joan Baez ose anëtarët e Sly Stone, dhe do të interpretoj muzikë të Santanës. Santana do të jetë bendi i shtëpisë, por dua t’i nderoj ata që janë ende këtu dhe ndoshta t’i ftoj reperët si Common ose Kendrick Lamar."