Showbiz

Amanda Bynes: “Gjithçka që kam bërë vetë, e kam shkatërruar...”

Aktorja Amanda Bynes (32) u bë e famshme me filmin 'She’s the man', por edhe me komedi të shumta romantike të cilat i kishte xhiruar në të njëzetat e saj. Por fama ndikoi negativisht tek aktorja e famshme, e cila disa herë përfundoi në psikiatri, ku u konstatua se vuan nga çrregullimi bipolar dhe skizofrenia. Gjithashtu, Bynes ishte e prirë ndaj konsumimit të drogës dhe alkoolit.

Pavarësisht se nuk ka konsumuar alkool dhe substanca për katër vjet, aktorja është kthyer në klinikën për shëndetin mendor këto ditë. Një burim i afërt me Bynes tha se ajo gjatë dy muajve të fundit ka shkuar në trajtime në Los Angeles për shkak të presionit publik dhe kthimit para kamerave.

“Çdo gjë që kam bërë gjithë jetën time për të arritur sukses, e kam shkatërruar vetë”, – e pranoi Bynes, e cila pesë vjet më parë ishte shtruar në spital në një institucion psikiatrik.

Gjatë xhirimeve të "She’s the Man" ajo ishte shtirur sikur kishte çrregullim të vëmendjes vetëm që psikiatri t’ia përshkruante ilaçin, për të cilin kishte lexuar se është i shkëlqyeshëm për dobësim.

“Definitivisht e kam abuzuar atë ilaç”, - tha me sinqeritet Amanda, e cila besonte se ilaçi do ta "godiste më shumë" nëse do ta konsumonte më shumë. Përfundimisht, kjo rezultoi në faktin se nuk mund ta mbante mend tekstin, shkruan KOHA Ditore.

Ajo ishte e fiksuar me 'trashësinë', sepse besonte se duhej të dobësohej.

“Isha nën ndikim të kanabisit kur e pashë veten në ekran, dhe për ndonjë arsye me të vërtetë kjo ndikoi në mua. Nuk e di nëse ishte psikoza e shkaktuar nga droga apo diçka tjetër, por ajo ndikoi në trurin tim më ndryshe seç ndikon në njerëzit e tjerë. E ndryshoi plotësisht perceptimin tim", tha ajo.