Showbiz

Steven Spielberg kritikohet pse ka kërkuar ndalimin e Netflixit për Oscar

Steven Spielberg është kritikuar pas planeve për t’iu propozuar zyrtarëve të Akademisë që t’i bllokojnë filmat e bërë për shërbimet streaming si Netflix që të garojnë për Oscar.

Regjisori i njohur më parë ishte i hapur për preferencat e tij që filmat të kenë shfaqje tradicionale kinematografike, në vend që projektet e mbështetura nga shërbimet si Netflix të debutojnë në internet në të njëjtën ditë kur fillon edhe shfaqja e shkurtër në ekran të madh, për ta bërë atë të kualifikueshëm për Oscar.

Tema tërhoqi vëmendje të mëtejshme në ceremoninë e vitit 2019, pasi që filmi “Roma” nga Alfonso Cuaron ishte favorit për çmimin e filmit më të mirë, dhe ndonëse humbi nga filmi “Green Book”, kandidimi i tij duket se e ka rihapur debatin rreth ndikimit të industrisë së praktikave moderne të xhirimit të filmave, shkruan KOHA Ditore.

Spielberg, i cili shërben si guvernator i degës së Akademisë për regjisorët, njoftohet se do ta prezantojë idenë për ndryshim në rregullat e kualifikimit në një mbledhje të ardhshme të bordit, sipas IndieWire.

"Steven ka ndjenja të fuqishme për dallimin në mes situatës së streamingut dhe kinematografisë", tha për ueb faqen një zëdhënës i firmës së tij të produksionit, Amblin Entertainment. "Ai do të jetë i lumtur nëse të tjerët do t’i bashkohen fushatës së tij kur ajo të dalë në mbledhjen e Bordit të Akademisë së Guvernatorëve. Ai do të shohë se çfarë do të ndodhë".

Megjithatë, ky hap i Spielbergut ka shkaktuar një reagim të ashpër nga të tjerët në komunitetin hollivudian, të cilët janë prononcuar në mediat sociale kundër propozimit të regjisorit të “Jaws”.

Regjisorja Ava DuVernay, e cila e fitoi nominimin e saj të parë për Oscar për dokumentarin më të mirë në vitin 2017 për filmin e saj të reformave në burg për rrjetin Netflix, të titulluar “13th”, ishte ndër të parat që u prononcua online.

"Akademi e dashur, kjo është një mbledhje e Bordit të Guvernatorëve. Dhe anëtarët e rregullt të degës nuk mund të jenë aty", tweetoi ajo. "Por shpresoj se nëse kjo është e vërtetë, atëherë do të keni regjisorë në dhomë ose do të lexoni deklarata nga regjisorët si unë që ndihen ndryshe".

"Steven Spielberg po përpiqet të sigurohet që Netflixi kurrë të mos e ketë një kandidat tjetër për Oscar, siç ishte rasti me Roma", shkruan Bruce Campbell, ylli i “The Evil Dead”, ndërkohë që gjithashtu ishte kundër idesë së ndalimit.

"Më vjen keq, z. Spielberg, Roma nuk është film televiziv - është po aq mbresëlënës sa çdo gjë tjetër. Platformat janë bërë jorelevante. Bëni një film me Netflixin".