Ylli i “Goodfellas”, Ray Liotta, po kthehet në botën filmike të mafiozëve për ta luajtur një personazh të rëndësishëm në pararendësin filmik të “The Sopranos”.
Aktorit i është dhënë një rol në filmin “The Many Saints of Newark”, në të cilin do të luajnë Alessandro Nivola, Vera Farmiga, Jon Bernthal, Corey Stoll dhe Michael Gandolfini, djali i vërtetë i mafiozit origjinal filmik në “The Sopranos”, James Gandolfini.
Alan Taylor po e bën regjinë e filmit sipas skenarit të shkruar nga krijuesit e The Sopranos”, David Chase dhe Lawrence Konner, shkruan KOHA Ditore.
Pararendësi është vendosur në sfondin e trazirave të Newark në vitin 1960 kur u përplasën udhëheqësit e bandave afrikano-amerikane dhe bosët italiano-amerikan.
Liotta e ka një lidhje personale me dramën - ai u rrit në Newark në vitet 1960.
"Jam i mahnitur që do të punoj me David Chase dhe Alan Taylor në ‘The Many Saints of Newark’", thotë ai për Deadline. "Talenti i Davidit është i pakrahasueshëm dhe regjia e Alan Taylor e bën këtë edhe më emocionuese. I respektoj shumë që të dy dhe mezi po pres ta bëj këtë projekt të veçantë."