Showbiz

R Kellyt i ndalohet me ligj hyrja në Filadelfia

Foto: NME

Qyteti i Filadelfias ka miratuar një ligj i cili simbolikisht e ndalon yllin e muzikës R&B, R Kelly, që ta vizitojë këtë vend.

Të enjten, më 31 janar, Këshilli i Qytetit të Filadelfias miratoi njëzëri një rezolutë për ta “heshtur” R Kellyn, transmeton Koha.net. Ndonëse ky ligj nuk e ndalon zyrtarisht këngëtarin ta vizitojë qytetin, ai shërben si një “deklaratë publike” që “ky qytet nuk e mirëpret” atë.

Këngëtari, po ashtu, së fundmi është larguar nga labeli amerikan RCA Records pas transmetimit të një sërë dokumentaresh (të titulluar “Lifetime’s Surviving R Kelly”) të cilët sollën një vëmendje të re ndaj tij dhe akuzave për ngacmime seksuale, shkruan nme. Kelly gjithnjë i ka mohuar këto akuza.

“Unë besoj se R Kelly dhe grabitqarët si ai duhet të turpërohen dhe të dëbohen nga sfera publike”, ka thënë këshilltarja Helen Gym, bashkë-votuesja e rezolutës, për Philadelphia Inquirer.

R Kelly nuk është dënuar për ndonjë krim, por tani ai është duke u hetuar nga FBI.