A keni dëgjuar ndonjëherë për një lojë mjaft sfiduese që mund të luhet në tavolinë pa lëvizur fare nga vendi? Kjo lojë quhet shah dhe,më besoni, është përplot emocion, strategji dhe surpriza.
Shahu luhet në një tabelë në formë katërkëndëshi me 64 katrorë dhe çdo lojtar kontrollon një ushtri prej 16 pjesësh të fuqishme. Figura më e rëndësishme është mbreti dhe qëllimi i lojës është të mbrosh mbretin tënd ndërsa përpiqesh të kapësh mbretin e kundërshtarit. Por, e gjithë kjo nuk është aq thjesht sa duket; sepse ke kalorës që lëvizin në formë të shkronjës 'L', oficerë të mençur që lëvizin në drejtime diagonale madje edhe një mbretëreshë të fuqishme që mund të shkojë kudo.
Tani le të kthehemi prapa në ditët e mbretërve dhe mbretëreshave, sepse shahu ka një histori aq magjepsëse sa një përrallë. Gjithçka nisi në Indi mbi një mijë vjet më parë dhe prej atje udhëtoi në vende të ndryshme dhe u përhap në të gjithë botën. Mbretërit dhe mbretëreshat e vërteta kanë luajtur shah ndër vite për të forcuar mendjen dhe për të zhvilluar beteja të mëdha e interesante pa përdorur shpata.
Çfarë e bën këtë lojë të bukur, është fakti se kjo lojë nuk është vetëm lojë e mbretërve, ju gjithashtu mund të mësoni të luani shah. Është si një udhëtim në tëcilin ju do të forconi memorien, do të mendoni si një detektiv dhe do të krijoni strategjitë tuaja. Çdo lëvizje është si një pjesë e një enigme dhe duke luajtur shah,po përgatisni veten për të gjitha llojet e aventurave dhe sfidave të jetës reale.
Për të mësuar si të luani shah, vizitova një shkollë shahu e dedikuar pikërisht për fëmijët, që quhet “Dardania”. Në fillim të orës mësimore trajneri ynë miqësor na prezantoi disa nga rregullat e shahut. Shahu fëmijë është një sfidë, andaj duhet studiuar, njëlloj si librat dhe manualët që përdorim në shkollë për të kuptuar njësitë mësimore, ashtu duhet studiuar edhe shahu në mënyrë që të kuptojmë lojën.
Një nga gjërat e mahnitshme të shahut është se mundësitë janë të pafundme.Kombinimi i lëvizjeve është një kuti përplot me strategji që presin të zbulohen, dhe pikërisht kjo është ajo që e bën shahun të njihet si një lojë kaq mahnitëse.
Në shkollën “Dardania” pata rastin të takoja disa fëmijë fantastikë që me shumë pasion luajnë dhe mësojnë për shahun. Ata ishin plot entuziazëm, gati të na tregonin se si të fillonim këtë aventurë të shahut. Dhe e dini çfarë? Nuk është fare aq e vështirë. Nevojitet vetëm pak trimëri, një pikëz kuriozitet dhe vendosmëri për të mësuar dhe për të sfiduar veten.
Pra, a jeni gati të bëheni eksplorues të shahut dhe të bashkoheni me ne në këtë udhëtim fantastik? Mos harroni, lojtarë të rinj të shahut, në botën e shahut durimi dhe praktika janë aleatët tuaj më të mirë. Çdo lojë është një mundësi për të mësuar, për t’u rritur dhe për t’u bërë një lojtar më i mirë. Kështu që vazhdoni të eksploroni, të luani dhe, më e rëndësishmja, të kënaqeni në udhëtimin tuaj në shah