Më 7 janar bëhen 13 vjet pa babanë, vëllain, bashkëshortin dhe kunatin tonë të dashur

Dr. NUE (NIKOLLË) GEGAJ

Dr. NUE (NIKOLLË) GEGAJ

(3.6.1962 - 7.1.2009)

Përsëri janar i ftohtë e përsëri sy të mbushur me lot. Lotët e shumtë nuk po mund t’i ngrijë as acari i janarit, zemrat e akullta nuk po arrin t’i ngrohë as flaka e zjarrit. Përsëri në vatër familja e bashkuar, me aq pak forcë që ka mbetur, babit përkujtimin për t’ia shkruar.
Të drejtohemi ne, familja jote, njëzëri, e të themi që koha e vitet nuk po arrijnë ta shuajnë kujtimin tonë për ty. Kujtim që na bën të mërzitur, por edhe të buzëqeshur; të brishtë, por edhe të fortë; të lumtur e të mallëngjyer për kohën që të patëm, o bab, por ziliqar e zemërthyer për të gjitha momentet që nuk i kaluam bashkë.
Të pritëm babi… të pritëm ta mbash besën që ti ua dhe motrave, na zhgënjeve babi, pse vallë nuk u ktheve te vatra.
Të priti Kristina, bab, ta përcjellësh në altarin e martesës, ta puthësh fort në ballë e t'ia urosh të mirat e jetës. Ah, sa e bukur ishte bërë bab me fustanin e bardhë, me buzëqeshjen plot jetë e vallëzimin plot sharmë. Një vallëzim, babi, desh e vrau në shpirt, vallëzimi i vajzës me babën e babës, me vajzën, krenarinë e tij.
Sa krenarë ishim me Tinën për virtytet dhe rrugëtimin e saj, sa e trishtë ishte Tina për mungesën e heroit të saj.
Të priti edhe Arta, bab, në sallën e diplomimit. Ajo fjalën e dhënë e mbajti e studimeve ua dha fundin. Diplomoi në profesionin tënd, babi, që ti fort e deshe. Ajo na bëri krenarë të gjithëve e familjes ia shtoi një doktoreshë. Ah, sa e bukur ishte festa e diplomimit, ah, sa krenari e gëzim shihej në fytyrat e secilit. Të gjithë ishin të lumtur me arritjet e Artës, të gjithë të mahnitur me sakrificën e nënës. Mantelbardhë të ndryshëm uronin mantelbardhën më të re, por mantelbardha e re i priste me lot në sy urimet e përqafimet nga babai i saj në dhe. A nuk e meritonte vallë Arta ta përqafonte të paktën një herë njeriun, të cilit ajo ia dedikoi çdo arritje e sukses?!
Babi, ne po rritemi e çdo ditë po mbledhim kujtime të reja, por mos mendo për asnjë çast të vetëm që ne të harruam ty. Ti për ne je zëri i ndërgjegjes sonë, drita e rrugëtimit tonë, e mësimet tua janë ato që na udhëzojnë të bëhemi udhëtarë të rrugës tënde hyjnore. Ti je i mishëruar në ne e ne jetojmë për të të bërë krenar për jetë të jetëve.
Përkulemi para teje, o engjëll i bekuar...

Me mall të pashuar e lot në sy të përkujtojnë: bashkëshortja Martja, fëmijët Arta, Kristina, Anita, Arbri dhe Ariani, vëllezërit Pjetri dhe Nika, motra Pashkja, kunatat Prena e Antoneta, si dhe mbarë familja Gegaj nga Shpenadia,  jermania dhe Zvicra.

Data e publikimit: 07.01.2022
Shpërndaje
Të tjera