Paris 2024

Ekipit olimpik i dorëzohet flamuri i Kosovës, Nora premton përfaqësim dinjitoz

Lojëra olimpike

Nora Gjakova e di rëndësinë e Lojërave Olimpike. Në Tokio, tre vjet më parë, Nora fitoi të artën olimpike, medaljen më të vlefshme në sport. Të mërkurën Nora Gjakova dhe xhudistët tjerë të ekipit të Kosovës marrin rrugë për në Francë. Në kryeqendrën e Francës, Paris, prej 26 korrikut deri më 11 gusht mbahet edicioni i ardhshëm i Lojërave Olimpike.

Në ceremoninë hapëse, Nora dhe vëllai i saj, Akil Gjakova do ta kenë nderin për ta bartur flamurin e Kosovës. Flamurin e shtetit, Nora e pranoi të hënën mbrëma nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ceremonia e dorëzimit të flamurit për ekipin olimpik është mbajtur në Amfiteatrin e Gërmisë.

Pasi e pranoi flamurin nga presidentja e vendit, xhudistja Nora Gjakova premtoi përfaqësim të dinjitetshëm të tij.

“Sot jemi këtu falë një rrugëtimi që e kemi bërë së bashku me trajnerin Driton Kuka, familjet  tona dhe të gjithë përkrahësit. Premtoj se do ta përfaqësojmë shtetin tonë denjësisht dhe do të luftojmë deri në forcën e fundit”, ka thënë Gjakova.

Ekipi i Kosovës përbëhet nga nëntë garues. Pos Norës me normë nga xhudoja marrin pjesë edhe Distria Krasniqi, Laura Fazliu, Loriana Kuka e Akil Gjakova. Edhe Distria është kampione olimpike në fuqi. Me normë të fituar paraqitet edhe boksierja Donjeta Sadiku. Ndërkohë me ftesë do të marrin pjesë notarët Adell Shaboviq e Hana Beiqi si dhe atletja Gresa Bakrraçi.

Para dorëzimit të flamurit, një fjalim e mbajti kampionia e parë olimpike nga Kosova, xhudistja Majlinda Kelmendi. Majlinda në Paris do të udhëtojë si trajnere, përkatësisht si pjesë e shtabit teknik të kryemjeshtrit të xhudos, Driton Kuka.

“Ka qenë nder dhe kënaqësi ta prezantoj Kosovën për 20 vjet rresht. Ishte ëndërr e realizuar të sjell në Kosovë medaljen e parë olimpike. Jam shumë e lumtur që Kosova nuk ka mbetur vetëm me një medalje të artë. Në Tokio i kemi fituar edhe dy medalje të arta, që u fituan nga shoqet e mia, Nora dhe Distria, me të cilat jemi rritur bashkë. Këto medalje nuk do të ishin fituar po të mos ishte trajneri legjendar Driton Kuka. Kosova është me fat që e ka atë”, ka thënë Kelmendi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për rëndësinë e Lojërave Olimpike. Ka thënë se bëhet fjalë për një ngjarje që i kapërcen kufijtë e sportit, që mishëron parimet e paqes dhe nxjerr në pah të përbashkëtat e njerëzve.

“Për Kosovën pjesëmarrja në Lojërat Olimpike paraqet kulmi i një pune të palodhur shumëvjeçare, përkushtimin dhe vendosmërinë e pashoq, nganjëherë edhe në rrethana të jashtëzakonshme të sportistëve tanë dhe trajnerëve të tyre. Është një dëshmi e qëndrueshmërisë së popullit tonë dhe aftësisë për t’u ngritur mbi sfidat e për të shkëlqyer në skenën botërore”, ka thënë presidentja Osmani.

Pjesë e ceremonisë së dorëzimit të flamurit ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se të gjithë garuesit me normë janë kandidatë për të fituar medalje. Kryeministri Kurti ka uruar që xhudistët të vazhdojnë me sukseset që i kanë pasur deri më tani në Paris.

“Arritjet e secilit prej jush për të cilat na kanë lakmi shumë shtete anë e mbanë botës janë rezultat i pasionit dhe i punës së kryemjeshtrit tonë Driton Kuka”, ka thënë kryeministri Kurti.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, po ashtu foli për rëndësinë e Lojërave Olimpike dhe prezantimit të Kosovës në këtë ngjarje.

“Sportistët tanë janë të përgatitur dhe të motivuar për të dhënë më të mirën e tyre për të ngritur lart flamurin e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Secila medalje do të ishte sukses shumë i madh për Kosovën. Por edhe këtë herë, njëjtë si në Rio në vitin 2016 dhe në Tokio në vitin 2021, sukseset priten nga xhudistët.