I.
Më ndodh shpesh këto ditë të para të vitit 2026, teksa shfletoj kronikat tona të rëndomta, të ndiej një lloj deja-vu-je dërrmuese. Ky vit nuk po na shfaqet si viti i rezultateve të shumëpritura, por si viti i faturave të papaguara. Më ra ndër mend ajo sintagma e përsëritur e Brukselit mbi “procesin e normalizimit”, e cila sot ngjan më shumë me një mekanizëm të konsumuar diplomatik, sesa një mjet zgjidhjeje. Dhe pikërisht këtu, në këtë hapësirë mes retorikës së konsumuar dhe realitetit që nuk lëviz, dialogu vazhdon të mbahet gjallë jo nga ndonjë arritje, por nga zakoni për të shtyrë përgjegjësinë edhe një vit më tej.
Në Prishtinë e Beograd, e sidomos në Bruksel gjithnjë e më shumë ngjan me një dhomë eksperimentesh ku testohet durimi i njerëzve, po luhet i njëjti skenar i vjetër, të gjithë presin një ndryshim thelbësor, por ai mbetet gjithmonë i projektuar diku larg, i shtyrë me kujdes për vitin tjetër. Ndërkohë, koha kalon, fjalët riciklohen dhe procesi vazhdon të mbahet gjallë jo sepse po ecën përpara, por sepse askush nuk ka guximin ta pranojë se kështu siç është, ai nuk po çon askund. Dialogu Kosovë-Serbi ka humbur kuptimin e tij fillestar dhe është kthyer në një rutinë politike ku mirëmbajtja e procesit krijon me tepër iluzion progresi sesa zgjidhje. Sot nuk është çështja nëse palët do të arrijnë marrëveshje, pasi marrëveshje kemi pasur me bollëk, nga ajo që u konsiderua historike e vitit 2013 deri te Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023.
Ndonëse nuk e kam të pamundur të them se në fjalorin e diplomacisë evropiane, termi “rezultat” ka pësuar një inflacion kuptimor dhe nuk shënon më fundin e një problemi, por thjesht një indikator burokratik për të justifikuar rrogat e një burokracie ndërkombëtare. Këto rezultate “Brukseliane” kanë krijuar një realitet paralel që u lejoi palëve të interpretonin gjithçka sipas qejfit, pa pasur kurrë një standard të qartë zbatimi.
Qartazi, ky fleksibilitet nuk prodhoi zgjidhje, por vetëm një zgjatje artificiale të procesit që anashkaloi qëllimin parësor: njohjen reciproke.
Sot, kur kjo paqartësi është reduktuar, në qendër ndodhet Asociacioni. Ai nuk përfaqëson më thjesht një obligim të mbetur nga procesi i dialogut, por është pika ku Kosova duhet të deklarojë përfundimisht vizionin e saj për rregullimin e brendshëm kushtetues dhe karakterin e shtetit që synon të mbrojë.
II.
Përtej retorikës së Brukselit, dialogu në vitin 2026 pritet të hyjë në një fazë amullie ku tranzicioni institucional do të shërbejë si preteksti i radhës për mungesën e rezultateve. Fillimisht duhet thënë se domosdoshmëria e zbatimit të detyrimeve ndërkombëtare po ndeshet me kufizimet e sovranitetit të brendshëm. Kemi arritur në një pikë ku mungesa e rezultateve konkrete nuk mund të fshihet më pas diskursit diplomatik. Paradigma aktuale, e kushtëzuar nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, kërkon një sinkronizim të plotë mes Brukselit dhe realitetit në terren. Suksesi i këtij viti do të varet nga një transformim gati i pamundur: kalimi i ndërmjetësve evropianë nga lehtësues në garantues të implementimit, duke përdorur mekanizma të rreptë të kushtëzimit financiar.
Në rrafshin e brendshëm, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe përbën sfidën kryesore për rendin ligjor dhe kushtetues mbi të cilin është ngritur Kosova. Kjo çështje nuk duhet trajtuar thjesht si një obligim ligjor i rrjedhur nga marrëveshjet ndërkombëtare, por si një faktor që sfidon drejtpërdrejt karakterin unitar të shtetit, që e vizatuam me Planin e Ahtisaarit.
Problemi ynë institucional është vështirësia për të harmonizuar kërkesat për autonomi etnike me parimet e kontrollit qendror. Kjo përplasje e zhvendos betejën nga tavolinat e Brukselit direkt në zyrat e Gjykatës Kushtetuese. Çdo kompetencë që i delegohet këtij mekanizmi do të duhet të kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese. Përtej interpretimeve kushtetuese, rreziku qëndron te shndërrimi i Kosovës në një shtet me funksionim asimetrik, ku ligji nuk vlen njëlloj në të gjithë territorin. Ky proces kërkon një rishikim të dhimbshëm të mënyrës se si funksionon shteti ynë përballë kërkesave për decentralizim etnik.
III.
Jashtë nesh, Brukseli po përpiqet të përdorë Planin e Rritjes si një lloj “karote” ekonomike, një përpjekje për të blerë paqen me para. Ata e quajnë “Soft Power” (fuqi e butë), por në realitet është thjesht një përpjekje për të lidhur ndihmat financiare me dëgjueshmërinë tonë politike. Synohet një lloj paqeje pragmatike, ku financat evropiane duhet të na bindin të harrojmë dështimet në rrafshin e parimeve. Megjithatë, kjo diplomaci e 'karotës' po tejkalohet nga një dinamikë e re që nuk njeh më pritje.
Zhvendosjet tektonike në gjeopolitikën e Evropës Lindore kanë imponuar një urgjencë të re për NATO-n dhe BE-në, të cilat tashmë synojnë mbylljen e çdo vakumi të pasigurisë në rajon. Ky presion ka prodhuar një diplomaci të re, të karakterizuar nga afate strikte dhe një sekuencim hapash teknikë. Megjithatë, ky proces ndërkombëtar po përplaset me një korrelacion të dukshëm vendas. Qeveria po e instrumentalizon stanjacionin e dialogut për të fshehur dështimet substanciale në qeverisje dhe për të ricikluar legjitimitetin e saj përmes krizave të sajuara. Kjo simbiozë mes krizës së brendshme dhe paaftësisë së jashtme tregon se nuk mund të ketë rezultat pa një ndryshim rrënjësor të paradigmës.
Duhet ta pranojmë se BE-ja nuk është më arbitri i pagabueshëm, por një aktor paksa i lodhur që kërkon vetëm qetësi në lagjen e tij. Gabimi i modelit të Brukselit ishte përpjekja për të prodhuar stabilitet përmes çështjeve teknike, si targat dhe simbolet, pa adresuar asnjëherë nevojën për pajtim dhe pranimin e realiteteve të reja gjeopolitike. Paratë dhe fondet e zhvillimit nuk mund ta blejnë qëndrueshmërinë në një ambient ku mungon besimi minimal mes palëve. Si rrjedhojë, rezultati i kësaj qasjeje është një sistem i brishtë që destabilizohet sa herë që ka tensione në veri të vendit ose sa herë që politika lokale kërkon përfitim elektoral.
Viti 2025 na dëshmoi se koha nuk punoi aq shumë për ne. Në fakt, koha po punon për ata që duan të mbajnë rajonin në një gjendje të paqartë, ku tensionet menaxhohen, por nuk zgjidhen, dhe ku asgjë nuk mbyllet përfundimisht e asgjë nuk nis vërtet.
Sot, ky dialog ka humbur substancën e tij për shkak të mungesës së sinqeritetit të palëve. Mungesa e vullnetit për zgjidhje ka dalë aq hapur në shesh, saqë edhe diplomacia ndërkombëtare po detyrohet të pranojë vdekjen klinike të këtij procesi. Ky konstatim i dhimbshëm shënon jo vetëm fundin e një dekade bisedimesh, por edhe nevojën urgjente për një paradigmë të re politike.
Dhe, ndonëse është e pamundur të parashikosh fundin e një rruge që nuk prodhon më rezultate, një gjë mbetet e qartë: koha për të hapur një shteg të ri nuk varet nga Brukseli e as nga premtimet e tij. Ajo varet, thjesht dhe vetëm, nga guximi ynë për ta parë realitetin drejt siç është.
Është koha t’i heqim dylbitë e huaja diplomatike, ato që prej një dekade na projektojnë një horizont që nuk ekziston dhe që, me gjasë, nuk u projektua kurrë për të ekzistuar.