Opinion

Bordi i Paqes për Gazën i Donald Trumpit: Veprim shtetëror apo iniciativë presidenciale?

Iniciativa “Bordi i Paqes për Gazën” nga Donald Trump, President i SHBA-së ka shkaktuar sa huti po aq debat mbi një pyetje fondamentale, por edhe thelbësore: a përfaqëson kjo iniciativë vërtet Shtetet e Bashkuara si shtet, apo Donald Trump si aktor politik? Nga perspektiva kushtetuese dhe ligjore, përgjigjja është më e qartë se politika që e arsyeton atë, është veprim ekzekutiv dhe jo sovranitet shtetëror. Sipas kushtetutës së SHBA-së, asnjë president nuk mishëron shtetin amerikan në tërësinë e tij. Pushteti është i ndarë e kombinuar qëllimisht midis tri degëve të qeverisjes, me Kongresin që mban autoritetin mbi legjislacionin dhe financimin, Senatin përgjegjës për ratifikimin e traktateve dhe presidenti, në anën tjetër që drejton degën ekzekutive, të ngarkuar me zbatimin - jo përcaktimin e ligjit.

Bordi i Paqes për Gazën, siç është aktualisht i përbërë, bie drejtpërdrejt brenda përgjegjësive ekzekutive dhe politike të presidentit. Kjo iniciativë nuk është autorizuar nga Kongresi, nuk është ratifikuar nga Senati, dhe nuk është e përfshirë në kornizat ekzistuese ligjore ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara. Si rezultat, kjo iniciativë nuk krijon kurrfarë detyrime për Shtetet e Bashkuara, as nuk përfaqëson një pozicion të unifikuar të shtetit Amerikan. Në vend të kësaj, ajo pasqyron vizionin politik dhe iniciativën diplomatike të Donald Trump si president, duke u mbështetur në ndikimin e tij politik dhe jo në autoritetin kushtetues të tërësisë së shtetit Amerikan.

Në strukturë, Bordi i Paqes ngjan më tepër këshillues e vullnetar dhe nismave ndërkombëtare të koordinimit për mbledhje të fondeve sesa një organi formal paqeruajtës apo administrues. Pjesëmarrja nga shtetet themeluese duket vullnetare dhe iniciativa mbështetet në bindje, kontribute financiare dhe shtrirje politike dhe jo në mandate të zbatueshme. Ashtu si shumë nisma ndërkombëtare të mbledhjes së fondeve ose rindërtimit, Bordi vepron së bashku me institucionet ekzistuese ndërkombëtare, jo brenda tyre - dhe nuk zëvendëson Kombet e Bashkuara, ligjin ndërkombëtar apo vijimësitë diplomatike të rendit aktual ndërkombëtar. Efektiviteti i tij varet kryesisht nga fakti nëse shtetet, donatorët dhe institucionet zgjedhin të angazhohen.

Ndërsa Presidenti Amerikan në detyrë mbart një peshë simbolike të pamohueshme në skenën globale, simbolizmi nuk është i barabartë me sovranitetin. Kushtetutërisht, një President mund të propozojë, të thërrasë ose të avokojë - por nuk mund ta angazhojë në mënyrë të njëanshme kombin në organe të reja ndërkombëtare, korniza paqeje ose marrëveshje qeverisjeje.

Ky dallim shpjegon pse disa aleatë të SHBA-së shprehin hapur distancën e tyre. Kjo, njëherësh, tregon kufijtë e përfaqësimit presidencial, sepse pa mbështetje legjislative ose miratim shumëpalësh, Bordi i Paqes mbetet politikisht i dukshëm, por ligjërisht i brishtë, i lidhur ngushtë me udhëheqjen personale dhe kapitalin politik të Donald Trump.

Në të njëjtën kohë, iniciativa nuk mund të shpërfillet si një mbledhje e thjeshtë fondesh humanitare. Duke adresuar çështje të tilla si paqja afatgjatë, rindërtimi dhe qeverisja në Gaza, ajo hyn në mënyrë të pashmangshme në sferën e vendimmarrjes gjeopolitike. Kjo e bën atë shumë më të diskutueshme - dhe shumë më simbolike - sesa përpjekjet tradicionale të ndihmës. Po kjo natyrë e iniciativës është pikërisht ajo që e bën iniciativën të diskutueshme: ligjërisht, ajo i ngjan një iniciative ndërkombëtare vullnetare, dhe jo-detyruese; politikisht, ajo sinjalizon një vizion të veçantë ekzekutiv të presidentit Donald Trump për të ardhmen e Gazës. Të dyja janë të vërteta njëkohësisht. 

Në vlerësim të frymës kushtetuese amerikane, Bordi i Paqes për Gazën, nuk përfaqëson shtetin amerikan në tërësi. Sepse përfaqëson një iniciativë të udhëhequr nga Donald Trump, që vepron jashtë autorizimit formal shtetëror - Kongresi dhe Senati dhe varet nga pjesëmarrja vullnetare e shteteve që i bashkëngjiten. Prandaj dhe, çdo administratë e ardhshme mund ta injorojë, ta riformësojë ose ta shpërndajë atë pa u shkelur ligji amerikan. Nëse Bordi do të bëhet një mekanizëm diplomatik kuptimplotë apo do të zbehet si një gjest politik, nuk do të varet nga fryma kushtetuese, por nga mbështetja ndërkombëtare - dhe çfarë legjitimiteti janë të gatshëm t'i japin të tjerët një iniciative që ndodhet midis lidershipit personal dhe pushtetit shtetëror.