NËPËR FILM

Sukseset e filmbërësve dhe aktorëve kosovarë vazhdojnë edhe gjatë pandemisë

Të shumta janë projektet filmike që i kanë vazhduar rrugëtimet e tyre nëpër festivale të ndryshme të filmit, të cilat sivjet janë mbajtur online për shkak të koronavirusit. Në mesin e tyre edhe filmi “Zana” i regjisores Antoneta Kastrati, e cila aktualisht jeton dhe punon në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përveç pjesëmarrjes në festivalin gjerman të filmit, “goEast”, ku edhe triumfoi me çmimin e televizionit “3sat”, filmi kosovar “Zana” tutje u prezantua edhe në festivalin “South East European Film Festival”, i cili mbahet në Los Angeles, transmeton Koha.

Duke i shfrytëzuar rrjetet sociale, regjisorja Kastrati me shumë entuziazëm e informoi publikun e gjerë se filmi i saj ka triumfuar në këtë festival, me fitimin e çmimit kryesor të jurisë në kategorinë “Filmi më i mirë i metrazhit të gjatë”.

Megjithëse në një intervistë të fundit për emisionin “Nëpër Film”, Antoneta pati deklaruar që mbyllja e kinemave dhe shtyrja e anulimi i disa festivaleve kanë ndikuar dukshëm edhe në rrugëtimin e filmit “Zana”, ajo ka vazhduar ta promovojë këtë projekt në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe kështu po vazhdon të korrë suksese dhe të marrë lëvdata të jashtëzakonshme për temën që e trajton dhe punën rreth realizimit të filmit.

“Zana” në fund të muajit korrik do të prezantohet edhe në festivalin “Whanau Marama”, i cili shtrihet në tetë qytete të Zelandës së Re. Regjisorja nga Peja, në këtë festival, me filmin e saj hyn edhe në kategorinë “Voices of Women in Film”, që sjell perspektivën e regjisoreve evropiane në botën e filmit.

Festivali do të mbahet në formatin online, por disa filma do të shfaqen edhe nëpër kinema dhe hapësira të caktuara duke respektuar masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

“Zana” është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjell një grua të re kosovare e cila përpiqet të bëhet nënë, përderisa ballafaqohet me tmerret nga e kaluara e saj e errët e kohës së luftës. Në rolet kryesore të këtij projekti vijnë aktorë të njohur kosovarë, Adriana Matoshi dhe Astrit Kabashi.

Një tjetër projekt filmik, që së fundmi është shpërblyer në një festival ndërkombëtar, është filmi “Bukë, kripë e zemër”.

Në vitin 2017, aktorja Makfire Miftari bashkë me japonezin Keishi Suenaga e dokumentuan në film udhëtimin e tyre në Kosovë. Me titull, “Bukë, kripë e zemër”, ky projekt së fundmi e pati premierën botërore në edicionin e 8-të të Festivalit ndërkombëtar të filmit në Nice.

Në këtë ngjarje kinematografike filmi dokumentar kishte arritur të nominohej në katër kategori, përfshirë dokumentarin më të mirë, dizajnin, regjinë dhe realizimin më të mirë kinematografik. Dokumentari i shkurtër me rrëfim nga Kosova, në festivalin francez e mori çmimin për realizimin më të mirë kinematografik.

Aktorja e regjisorja Makfire Miftari, nga New Yorku, duke folur për rrugëtimin e filmit ka deklaruar se është gëzuar për lajmin e triumfit të filmit në festival, marrë parasysh situatën e vështirë nëpër të cilën po kalojmë, me pandeminë globale dhe gjendjen politike në Kosovë. Tutje ajo ka treguar që qëllimi i realizimit të këtij projekti nuk ka qenë vetëm promovimi i punës së artistëve në vend, por edhe vlerave kombëtare dhe bukurive natyrore që Kosova i ofron.

Ndërkaq, në fillim të këtij viti, Makfire Miftari i përfundoi xhirimet për filmin “Një fëmijë”, me regji të Bekim Gurit, në të cilin paraqitet në rolin kryesor.

Një tjetër aktor i ri kosovar, që aktualisht karrierën po e zhvillon në Amerikë, është Arti Lokaj.

I shquar për rolet e tij në filmat, si: “Rooftop Story”, “Gardhi” dhe “Shpia e Agës”, së fundmi Arti e bëri të ditur lajmin se është angazhuar me rol në një film amerikan me titull, “Falling”.

Filmi vjen me regji të Dylan Lepres, ndërsa producent i projektit është Nick Papaterpou. Nuk dihen shumë detaje rreth filmit i cili besohet se është ende në realizim e sipër, apo rolit të Artit në të, por nuk dyshojmë në talentin tashmë të dëshmuar të aktorit të ri në moshë.

Arti Lokaj është duke e vazhduar karrierën në Amerikë, ku ka nënshkruar kontratë me agjencinë e mirënjohur, “Jordan, Gill and Dornbaum”, që merret me talentet e reja në fushën e aktrimit.

Edhe pse industria amerikane ka dallim nga ajo në Kosovë, ai thotë se nuk planifikon të ndalet së ndjekuri ëndrrat në këtë profesion.