Për të tretin vit me radhë, “Ditët e Lalës” e kanë rikthyer kujtimin e Luan Mulliqit në vendin ku ai punoi, mendoi dhe formësoi për dekada një pjesë të rëndësishme të historisë së artit në Kosovë. Në qendër të edicionit të tretë të aktivitetit “Ditët e Lalës” është ekspozita “Form, After”, kuruar nga Zeni Ballazhi, e cila i vendos skulpturat e Mulliqit përballë veprave të Arianit Beqirit, Jakup Ferrit, Burim Berishës, Agron Blakqorit, Rina Krasniqit, Arton Behramit dhe Naim Spahiut
Në periferi të Prishtinës, ku zhurma e qytetit nis të tretet midis gjelbërimit, skulpturat e Luan Mulliqit vazhdojnë të jetojnë. Të enjten, në rezidencën artistike që dikur ishte studioja e tij dhe që sot është kthyer në hapësirë të gjallë të artit, veprat e doajenit të skulpturës janë vënë sërish në bisedë me kohën, kësaj radhe jo vetëm si dëshmi e një krijimtarie të jashtëzakonshme. Edhe si gjuhë që vazhdon të kërkojë përgjigje te artistët e rinj.
Për të tretin vit me radhë, “Ditët e Lalës” e kanë rikthyer kujtimin e Luan Mulliqit në vendin ku ai punoi, mendoi dhe formësoi për dekada një pjesë të rëndësishme të historisë së artit në Kosovë. Në qendër të edicionit të tretë të aktivitetit “Ditët e Lalës” është ekspozita “Form, After”, kuruar nga Zeni Ballazhi, e cila i vendos skulpturat e Mulliqit përballë veprave të Arianit Beqirit, Jakup Ferrit, Burim Berishës, Agron Blakqorit, Rina Krasniqit, Arton Behramit dhe Naim Spahiut.
Por kjo nuk është vetëm një ekspozitë për atë që ka mbetur pas një artisti. Është një ekspozitë për atë që vazhdon të ndodhë me veprën e tij pasi autori nuk është më aty për ta shpjeguar. Për mënyrën se si një formë mund të ndryshojë kuptim kur vendoset pranë një forme tjetër. Për kujtesën si material artistik. Për gjurmën që nuk mbyllet me jetën e krijuesit, por nis të jetojë në sytë e të tjerëve.
“Është një ekspozitë kolektive të cilën e kemi nisur me idenë dhe qëllimin sesi bashkëveprojnë format pas përfundimit të aktit të tyre fillestar. ‘Form, after’ e trajton jetën e formës pasi përfundon akti i tij i krijimit. Veprat e Luan Mulliqit vazhdojnë të bashkëjetojnë përtej autorit të tyre dhe të dialogojnë me publikun, me hapësirën dhe me artistët bashkëkohorë, si në këtë rast. Kemi mbledhur shtatë artistë të cilët marrin pjesë në ekspozitën kolektive dhe dialogojnë me veprat e skulptorit dhe akademikut Luan Mulliqi”, ka thënë Ëndronida Shala, koordinatore e Fondacionit “Luan Mulliqi”, që organizon “Ditët e Lalës”.
Ajo ka bërë me dije se përzgjedhja e artistëve në ekspozitë nuk ka qenë e rastësishme.
исто така
Луан Мулиќи – љубител на скулптурата
“Ata punojnë me mediume dhe kanë qasje të ndryshme ndaj skulpturës, pikturës, vizatimit, tekstilit dhe instalacionit. Jo domosdo vetëm me skulptura, edhe pse ai ka qenë arti i Luan Mulliqit. Në këtë rast, shohim sesi pas vdekjes mund të bashkëbisedojmë ndryshe dhe të dialogojmë me veprat e tij, jo vetëm me format, por me gjithë gjuhën artistike të tij”, ka thënë ajo.
Në hapësirën që frymon më fort se në qendër të qytetit, Mulliqi aty ka imazhin gjithandej përmes bronzit, gurit, vijave, ritmeve dhe formave të tij, por edhe përmes pyetjeve që veprat vazhdojnë t’i ngrenë. Skulpturat e tij, të krijuara gjatë një jete të tërë kushtuar këtij mediumi, nuk qëndrojnë si relike. Ato marrin jetë të reja sa herë që shihen nga një sy tjetër.
Mulliqi, i cili u nda nga jeta më 21 tetor 2023, la pas një trashëgimi prej më shumë se 180 veprash, ndërsa atelieja e tij në Matiqan konsiderohet si monument i gjallë i krijimtarisë, me hapësirën e punës dhe oborrin e mbushur me skulptura.
Veglat e punës, skulpturat dhe vetë atelieu e ruajnë praninë e artistit, Hapësira ku ai dikur punonte tashmë është edhe vend ku brezat takohen përmes artit.
Për Burim Berishën, njëri prej artistëve pjesëmarrës në “Form, After”, kjo përballje me veprën e Mulliqit është një mundësi për të menduar edhe vetë natyrën e formës.
“Janë më shumë forma perceptive. Përmes zërit e krijon një formë skulpturale. Tjetra është një formë e përkohshme e tymit, e cila, sipas idesë sime, e krijon një ide të përkohshme skulpturale dhe nuk e imponon formën te shikuesi. Kur trajtojmë një temë të caktuar, ne krijojmë një formë vizuale dhe jo gjithmonë është ajo që dikush tjetër e mendon krahas temës që kemi trajtuar”, ka thënë ai.
Në punën e Berishës, forma mund të jetë tingull, tym, gjurmë, kujtim. Dhe pikërisht aty nis një nga shtresat më interesante të ekspozitës: tek ideja se skulptura mund të ekzistojë edhe përtej materialit të saj.
“Puna e skulptorit Luan Mulliqi i përket artit modern. E ka një formë të punës të jashtëzakonshme. Unë në ‘Form, after’ kam dashur të ndërlidh duke përfshirë forma skulpturale më të reja, sepse skulptura nuk fokusohet vetëm te forma, por ka forma të tjera të realizimit të saj. Kjo ndërlidhet edhe me politikën, edhe me format e tjera, por e lë që shikuesi ta perceptojë ashtu siç e sheh. Vepra me foltore ka të bëjë më shumë me kuptimin e titullit të veprës, që është ‘Residue’. Pra, se çfarë mbetet prej kujtimeve që ne i kemi për të kaluarën”, ka thënë Berisha.
Dhe pikërisht fjala “Residue” – ajo që mbetet – duket sikur mund të shërbejë edhe si një çelës për të lexuar gjithë ekspozitën. Sepse pas Luan Mulliqit ka mbetur shumë më tepër se bronzi dhe guri.
исто така
Уметноста надвор од историјата ја зачувува вистината што не може да се замени.
“Luan Mulliqi është një prej atyre që ka bërë ndryshime në skulpturën e artit modern. Shihet prej formës, modelimit, paternave që ka përdorur, lëvizjeve. Nuk ka bërë kompromis në formën që ka menduar që është e mirë dhe që e përfaqëson atë si artist. Edhe këto forma të reja kanë të bëjnë me gjeneratat më të reja”, është shprehur artisti Berisha.
Në fakt, një pjesë e këtij dialogu të sotëm me Mulliqin është e mundur pikërisht për shkak të dyerve që ai vetë kishte hapur për artistët e rinj. Për dhjetë vjet, nga viti 2000, ai drejtoi Galerinë Kombëtare të Kosovës, duke lënë gjurmë edhe në zhvillimin institucional të skenës së artit pamor.
Këtë vazhdimësi e sheh edhe Alisa Gojani, zëvendësuese e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës.
“Luani është një prej artistëve më të rëndësishëm të historisë moderne të artit në Kosovë. Përveç që ka qenë artist i rëndësishëm, ka qenë edhe drejtor i Galerisë Kombëtare për dhjetë vjet me radhë dhe i cili ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme në historinë e artit në Kosovë. Nëse i shohim emrat e artistëve të cilët janë të prezantuar sot bashkë me punët e Luanit, janë pikërisht artistë të cilët e kanë gjetur derën hapur në Galerinë Kombëtare dhe fillet e prezantimit të karrierës së tyre kanë qenë pikërisht në këtë institucion. Kështu që, po bashkëbisedojnë shumë bukur njëri me tjetrin dhe shpresoj që ky lokacion të përjetësohet më gjatë”, ka thënë ajo.
Eshref Qahili e njeh hapësirën nga një kohë tjetër. Për të, kthimi në atelienë e Mulliqit është edhe një kthim në një kujtesë personale, në një miqësi dhe në një periudhë të rëndësishme të zhvillimit të artit në Kosovë.
“Më vjen mirë që po mbahet në këtë hapësirë të cilën Luan Mulliqi e ka ndërtuar më herët, e ka pasur si studio, e ku kam ardhur shumë herë pasi e kam pasur mik të mirë, pos asaj që ka qenë drejtor i Galerisë. E çmoj për punën e tij kolosale në Galeri sa ishte drejtor me prezantimin e artit të Kosovës. Kam pasur rastin të jem me të në Paris, në Indi, më pas edhe në Gjermani. Edhe këtu kemi qenë tërë kohën bashkë dhe e njoh punën e tij nga fillimi”, ka thënë ai.
Kujtimet e Qahilit shtrihen përtej veprave dhe mbërrijnë te njeriu që kishte ambicie të mëdha për ta nxjerrë artin e Kosovës përtej kufijve të saj.
“Luani ka qenë nismëtar shumë i mirë, shumë i suksesshëm. Me nismën e tij janë imazhet e Ismail Qemalit, Merlin Olbrajt e Bob Doll. Në Gjakovë, në qendër ka qenë një armë që e kishte realizuar diku në vitin 2005. Të gjitha këto vepra janë gjëra të mira që nuk përsëriten. Ka shumë punë të tij që i kam shumë për qejfi dhe ka shumë çfarë flitet për to. Më vjen mirë që vendi që e ka krijuar është shndërruar në një ekspozitë”, ka thënë më tej Qahili.
исто така
„SHIFT“ – приказна за уметник кој не се срами од технологијата
Fondacioni “Luan Mulliqi”, i themeluar më 2024, e ka vendosur pikërisht ruajtjen dhe promovimin e kësaj trashëgimie në qendër të misionit të tij, duke synuar që atelieu i artistit të jetë një hapësirë për artistët dhe gjeneratat e ardhshme.
Luan Mulliqi ia kushtoi një jetë të tërë skulpturës, por ajo që ka krijuar nuk përfundon aty ku përfundon jeta e tij. Forma e tij vazhdon të udhëtojë – nga bronzi te kujtesa, nga studioja te brezat e rinj, nga historia te e tashmja.