KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Историското нишало на американските избори во седум точки

Veton Surroi

Zgjedhjet amerikane të mesmandatit në shtatë pika

1. Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA kanë potencialin që të jenë për Amerikën më të rëndësishmet në këtë shekull  dhe ndër më të rëndësishmet që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ato i dhanë Partisë Demokratike shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat për legjislaturën e ardhshme dhe njëkohësisht sollën në pah si kurrë më parë pluralitetin e shoqërisë amerikane me senatorin e parë mysliman, guvernatoren e parë nga popujt autoktonë të Amerikës, senatorin e parë burrë që është deklaruar publikisht homoseksual dhe guvernatoren e parë afroamerikane. Demokratët fituan gjithashtu gara për Senat në shtete tradicionalisht republikane si Teksasi dhe Kansasi. Vota e vitit 2026 ishte një votë kundër presidentit që dy vjet më parë kishte fituar me një platformë të jashtëzakonshme. Ishte një lëvizje lavjerrësi në drejtim të kundërt.

2. SHBA-ja hyn në një periudhë dyvjeçare përplasjeje të mundshme mes Kongresit dhe presidentit. Presidenti Trump ka qeverisur në dy vjetët e kaluar me urdhra ekzekutivë, duke anashkaluar në masë të madhe Kongresin. Në dy vjetët e ardhshëm, duke filluar nga 3 janari i vitit të ardhshëm kur merr pushtetin Kongresi i ri, do të fuqizohet baraspesha politike në favor të pushtetit të Kongresit, në dimensionin e tij legjislativ dhe mbikëqyrës.

3. Tërmeti i zgjedhjeve (cunami i kaltër) ka potencialin e shkundjes së dy partive tradicionale; ato më nuk do të mund të jenë të njëjta pas këtyre zgjedhjeve. Republikanët do të duhet të përcaktohen për rrugën pas Trumpit, mandati dhe stili i personalizuar i pushtetit i të cilit përfundon pas dy vjetësh. Demokratët duhet të përcaktohen për një rrugë shumë më dinamike të cilën e krijuan këto zgjedhje; larmëria e fytyrave të reja të zgjedhura dhe vota e protestës e një pjese të elektoratit tradicional republikan tregojnë se votuesit janë më përpara sesa struktura tradicionale e Partisë Demokratike.

4. Katër çështje ndihmojnë për ta shpjeguar rezultatin e zgjedhjeve. Ato janë lufta në Iran, kostoja e jetesës, funksionimi i brendshëm i demokracisë në Amerikë dhe relacioni me Izraelin. Tri prej tyre i veçoi pas zgjedhjeve edhe zëvendëspresidenti JD Vance. Ato u shfaqën edhe në qëndrimet e figurave demokratike si Zohran Mamdani. Çështja e funksionimit të demokracisë amerikane është përmendur nga shumë figura demokratike e në forma të ndryshme, më së shpeshti si problem me uzurpimin e demokracisë, sundim autoritar apo sistem korruptiv familjar.

5. Nëse këto katër pika mbesin si përcaktuese, atëherë mund të pritet që Kongresi të ushtrojë presion për përfundimin e luftës në Iran dhe për ndërprerjen e përkrahjes së pakushtëzuar për Izraelin, me rezultat krimet kundër njerëzimit në Gaza ashtu edhe në pastrim etnik që po zbatohet në Bregun Perëndimor. Në të njëjtën kohë SHBA-të do të mund të kalojnë një periudhë të thelluar brendavështrimi, duke filluar nga politikat që zbresin koston e jetesës e deri te hetimet e Kongresit për konfliktet e mundshme të interesit dhe pasurimin gjatë ushtrimit të funksioneve publike.

6. Evropa do të ketë më shumë mundësi të dëgjohet në Kongres, por kjo nuk e ndryshon përcaktimin tashmë të pjekur në Amerikë gjatë këtij shekulli, e në të gjitha administratat se Evropa duhet të marrë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit të vet. Tri përfitime, megjithatë, mund të dalin për Evropën nga këto zgjedhje. Një, mundësia e një marrëveshjeje për uljen ose heqjen e tarifave të importit për produktet evropiane të vendosura nga presidenti në fillim të mandatit, e që qartazi sollën rritjen e çmimeve për konsumatorin. Dy, zbritja e presionit të së djathtës amerikane – e cila humbi në këto zgjedhje – për rol më të madh të së djathtës së skajshme në demokracitë e mëdha evropiane. (Në ato pak më të vogla si Hungaria e Orbanit apo Serbia e Vuçiqit, përkrahja e të djathtës amerikane nuk u përkthye në fitore). Dhe tre, hapësirë më e madhe për bashkëpunim nëse Uashingtoni i jep përparësi përfundimit të luftës në Iran e Lindje të Mesme dhe normalizimit të tregtisë ndërkombëtare.

7. Ballkani Perëndimor nuk u paraqit si çështje në zgjedhje dhe nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim thelbësor. Për më tepër, politika amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor tashmë është e përcaktuar me Ligjin për Demokraci dhe Prosperitet në Ballkanin Perëndimor, pjesë e Ligjit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së për vitin fiskal 2026 (NDAA). Ligji, i miratuar me mbështetje dypartiake, përkrah partneritetin strategjik me SHBA, anëtarësimin në BE të vendeve të rajonit që ende s’janë anëtare, si dhe anëtarësimin në NATO të vendeve që e dëshirojnë, i plotësojnë kushtet dhe kanë mbështetjen e të gjithë aleatëve. Pas këtyre zgjedhjeve, shumica e re mund ta përdorë më aktivisht mbikëqyrjen e Kongresit për t’i kërkuar Departamentit të Shtetit llogari për zbatimin e ligjit në rajon.