Arbëri

Banorët ankohen se mosriparimi i rrugës në Bërnicë të Poshtme po ua vështirëson qarkullimin

Descriptive Text

Rruga kryesore, prej rreth 3 kilometrash, në fshatin Bërnicë e Poshtme të Komunës së Prishtinës, që prej afro një viti po ua vështirëson qarkullimin mijëra qytetarëve.

Aty Komuna e pati ndërtuar rrjetin e kanalizimit, porse punimet për riparimin e rrugës nuk janë vazhduar.

Për pasojë, banorët ankohen se po u shkaktohen dëme në vetura dhe se as linjat e Trafikut Urban nuk po funksionojnë në drejtim të fshatit.

“Një herë jemi gëzuar shumë se vjen autobusi dhe ne kemi dalë këtu, tash qe një vit është në këtë gjendje kur ia kanë nisur punimet. U gëzuam shumë kur filluan, një herë e rregulluan pastaj për të dytën herë e dëmtuan katastrofë. Për çdo ditë na dëmtohen veturat. Veç sa erdh vajza të më marrë dhe më tregoi se i është dëmtuar rrota e veturës dhe e ka dërguar te mjeshtri. Ashtu edhe djali njëjtë. Fëmija duke shkuar në shkollë, dje e kam marrë një fëmijë se ishte rrëzuar në baltë”, tha Florije Ibishi, banore.

Një tjetër banor, Shahin Rafuna, tha se vetë banorët e kanë rregulluar sa kanë mundur këtë rrugë, por se nevojitet ndihma e komunës.

“Po kemi vështirësi edhe në hyrje, a po e shihni se vetë e kemi rregulluar, sepse nuk kemi mundur të hyjmë. Vetë e kemi rregulluar këtu, sepse veç kanë ardhur e kanë dëmtuar rrugën dhe e kanë lënë kështu. Kërkojmë prej komunës se në qoftë se hyjmë në dimër nuk e dimë çka bëhet, sepse kur të bie borë veç po vjen duke u fundosur, sepse është bërë veç një kah dhe është shumë e rrezikshme”.

Shqetësime rreth gjendjes në këtë aks rrugor shprehën edhe banorë të komunitetit serb, që jetojnë në fshat.

“Nuk kemi autobus të shkojmë deri në Prishtinë, më herët kemi pasur. Fëmijët gjithmonë duhet t’i përcjellim deri në shkollë dhe nuk guxojmë me i lënë pa përcjellje shkaku i rrugës. Shpresojmë se e kryejnë sa më shpejt, sepse ka zgjatur shumë si projekt”, tha Boshko Ristiq.

Lidhur me ankesat e shprehura, nga Komuna e Prishtinës të mërkurën nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS. Përgjigje nuk dha as drejtori për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi.