Kanë rifilluar punimet në Rrugën A, apo “Jim Xhema”, kanë bërë të ditur në Komunën e Prishtinës, një ditë pasi Dhoma e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale ktheu çështjen në rishqyrtim dhe rivendosje në shkallën e parë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka quajtur lajm të mirë rinisjen e punimeve.
Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike, që udhëheq me Prishtinën, e ka quajtur skandaloz vendimin paraprak. Lumir Abdixhiku ka thënë se “vendimet e urdhëresave politike s’mund të përfundojnë ndryshe”.
“Punimet në ‘Rrugën A’ rinisën sot! Shkalla e dytë e Gjykatës Komericiale rrëzoi vendimin skandaloz të gjykatëses familjare. E rrëzoi sepse ishte joprofesional; e rrëzoi sepse ishte shkelje e rëndë. Vendimet e urdhëresave politike s’mund të përfundojnë ndryshe. Popullistët, me gjithë mllefin e urrejtjen që bartin për punën e tjetrit na humbën veçse kohë. Do të duhej të kishin brenga tjera, do të duhej të kishin qëllime të tjera; sepse vendi ka nevoja plot. Ne vazhdojmë; ekipit të Kryeqyteti u themi puna e mbarë ju qoftë; e qytetarët e Prishtinës megjithatë nuk do të harrojnë!” ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Në tetor, Komercialja pati shtyrë ekzekutimin e vendimit për ndërtimin e kësaj rruge, pas kërkesës së një kompanie ndaj Organit Shqyrtues të Prokurimit. LDK-ja në pushtet akuzonte Vetëvendosjen në pushtetin qendror për ndikim, duke thënë se gjykatësja që vendosi për ndalim të punimeve është motra e deputetes Fitore Pacolli.
Pushteti në Prishtinë e ka cilësuar këtë rrugë si projektin më të madh deri tash. Kjo rrugë planifikon t’i lidhë lagjet “Kalabria” dhe “Mati” me Prishtinën e re.