Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka thënë se ndriçimi i rrugëve dhe i lagjeve në kryeqytet ka ndikuar që të shtohet niveli i sigurisë.
Ai ka thënë të martën në emisionin “SOT” të KTV-së se deri më tani janë ndriçuar mbi 120 rrugë apo 40 kilometra hapësirë, e sipas tij, po punohet që siguria të jetë në nivel të kënaqshëm.
“Sigurisë i ka kontribuuar ndriçimi, kemi arritur mbi 120 rrugë t’i ndriçojmë, mbi 40 kilometra rrugë i kemi ndriçuar dhe ai ka luajtur rol në aspektin e sigurisë, si për shoferë, ashtu edhe për këmbësorë”, ka thënë Musliu.
Sipas tij, vendosja e rrethojave mbrojtëse në disa zona të Prishtinës ka ndikuar në uljen e aksidenteve rrugore.
Duke folur për aktivitetet gjatë festave të fundvitit, drejtori i Komunës së Prishtinës ka njoftuar se “Tregu i Fundvitit” pritet të nisë më 24 nëntor dhe të zgjasë deri më 7 janar.
“45 ditë do të zgjasë aktiviteti i ‘Tregut të Fundvitit’. Brenda tij do të përfshihet edhe festa e 28 Nëntorit, tashmë shtëpizat janë vendosur. Po presim t’i nisim punimet për dekorim, shtëpizat do të dekorohen nga Komuna. Gjithçka do të jetë e bardhë, në fillim do të ketë portë hyrëse, dy instalacione dhe në fund bina”, ka shtuar ai.