Kryeshefi ekzekutiv i “Termokosit”, Fisnik Osmani, ka deklaruar se nga tetori i 2023-s, mbi 40.000 banorë të Prishtinës do të ngrohen nëpërmjet rrjetit të ngrohjes, derisa është shprehur se shtrirja e rrjetit sivjet ka ndodhur në disa lokacione.
Sipas Osmanit, “Termokosi” po i zhvillon disa projekte në të njëjtën kohë, e një prej tyre ka thënë se është projekti solarë që sipas tij, do t’i ofrojë kryeqytetit cilësi më të mirë të ajrit.
“Po i zhvillojmë disa projekte në një njëjtën kohë. mbi 40 mijë banorë nga tetori do të ngrohen me ‘Termokos’. Po punojmë të kemi resurse të tjera, projektin solarëve që do t'i ofrojë Prishtinës 50 megavat të reja. Do të jetë projekt me mbulueshmëri për 12 mijë banorë, e kapaciteti do të shpërndahet në pjesë të tjera me masë të veçantë. Projekti është në fazën finale, në fund të vitit të ardhshëm do të mund të kemi një projekt final, e kjo do t'i japë Prishtinës cilësi më të mirë të ajrit”, ka shtuar ai të martën në emisionin "SOT" të KTV-së.
VIDEO:
Kryeshefi i “Termokosit” ka shtuar se sivjet është punuar në shtrirjen e rrjetit të ngrohjes në lagjen “Mati 1”, e është përmbyllur pjesa më e madhe në “Muharrem Fejza”.
“Kemi bërë mbylljen e qendrës së qytetit, pjesa dërrmuese e objekteve në qendër kanë qenë pa ngrohje, e kemi bërë mbylljen e tyre. Pjesën prapa ‘Siriusit’ e kemi përmbyllur. Po duam të zgjerohemi me kapacitetin aktuale”, ka potencuar ai.
Ndërsa, Arben Lila, njohës i çështjeve të mjedisit, ka deklaruar se gjatë dimrit, Prishtina është e pajetyueshme në kuptimin e cilësisë së ajrit.
Sipas tij, zgjidhja ndaj ndotjes së ajrit është përdorimi i transportit publik.
Kemi punuar në planin për cilësinë e ajrit që i ka 6 masa. Ndër to edhe zgjerimi i kogjenerimit. Të kemi më shumë rrugë për këmbësorë e biçikleta. Të kemi më shumë transport publik, sikur të kishim më tepër autobusë...Duhet të kemi më shumë transport publik, çmimi i biletës ndikon edhe në xhepin e qytetarit. Plani që u bë me mbylljen e disa rrugëve është shumë i vështirë pasi në Arbëri s’ka linjë, por besoj se edhe plani i mobilitetit është në zbatim dhe do të gjendet një zgjidhje për qytetarët në lagjet më të largëta”, ka thënë ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.