Musmurati: Nga sot shkollat e Prishtinës nisin fushatën “Çohu kundër dhunës”
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka thënë se me nismë të nxënësve, nga sot, siguria dhe politikat anti-dhunë janë prioritet i secilës shkollë në Komunën e Prishtinës.
Përmes një postimi në Facebook ajo ka shkruar se së bashku me shumë shkolla fillore të Prishtinës, kanë lansuar sot fushatën "Çohu kundër dhunës", e cila synim kryesor do ta ketë parandalimin, identifikimin, raportimin dhe trajtimin e dhunës nga këndvështrimi i fëmijëve.
“Përmes kësaj fushate, mijëra nxënës në Prishtinë do të përfshihen direkt në aktivitete ndërgjegjësuese mbi dhunën, ndërsa indirekt në proceset e vendimmarrjes mbi politikat e reja të DKA-së për sigurinë në shkolla”, ka shkruar Musmurati.
Sipas saj, dhuna e çfarëdollojshme nuk ka vend në shoqëri, prandaj ka shtuar se do ta trajtojnë atë.
Ka shkruar se fëmijët kanë të drejtë të përfshihen në politikbërje, prandaj sipas saj, ata do të dëgjohen.