Drejtori për investime kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, ka thënë se në vitin 2024 pritet të nisin punimet në tunelin në rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet.
Ai ka thënë se pritet të kompletohet projekti, pasi siç ka qenë i planifikuar nuk ka mundur të pranohet.
“Tuneli ‘Agim Ramadani’, projekti duhet të përmbyllet mirë. Sivjet ka qenë i planifikuar të punohet. Siç ka qenë i planifikuar nuk ka mundur të punohet. E kemi ndalur si procedurë. Duhet të kompletohet projekti për të vazhduar tutje. Në momentin që përmbyllet, i kemi disa mjete për vitin 2023, por vitin 2024 e shoh fillimin e punimeve për tunelin ‘Agim Ramadani’”, ka thënë Xhaferi në emisionin “038” në KTV.
Ai ka thënë se po ashtu në fshatra në komunën e Prishtinës po mendojnë për projekte madhore, të trajtohen rrugët me zhavorr.
Ndërkohë në lagjet “Arbëria 1” dhe “Arbëria 2” ka thënë se një herë nuk do të ketë investime, pasi atje është planifikuar donacion për trajtim të nxemjes qendrore.
“Është planifikuar, një donacion për trajtimin e nxemjes qendrore, që duhet të hyjë në objekte të shtëpive e po ashtu te ‘Tophanja’. Në këtë katërvjeçar, donacioni nëpërmjet paneleve solare. Do të na pengojë kështu investimin në ‘Arbëria 1’ dhe ‘Arbëria 2’”, ka thënë Xhaferi.