Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka kundërshtuar listën e çmimeve/tarifave për operim të cilat janë caktuar nga operatori ekonomik për “Parkingu Nëntokësor” te Fakulteti Filologjik.
VV-ja ka thënë se çmimet e vendosura janë shumë më të larta se çmimet që ishin dakorduar me kontratë.
“Në kontratën koncesionare në mes të Komunës së Prishtinës dhe shoqërisë tregtare “Parking Center” sh.p.k., të nënshkruar me datën 30.10.2019, konkretisht në shtojcën 9 që ka të bëjë me tarifat e parkingut, janë të caktuara tjera çmime nga ato që tashmë i kemi parë në media dhe në vet objektin e parkingut. Po ashtu, në këtë shtojcë, thuhet se çmimet indeksohen një herë në 3 vjet dhe për çdo ndryshim duhet pajtimi i të dy palëve”, ka shkruar në Facebook.
Sipas listës me çmimet e vendosura tani, çmimi për një orë ka qenë një euro kurse me të dytën 80 centë për një orë.
Sipas VV-së, me këtë rast është bërë shkelje e kontratës nga ana e operatorit privat dhe “miratim në heshtje nga ana e organeve komunale, konkretisht kryetari Rama dhe kabineti i tij”.
Subjekti ka kërkuar nga zyrtarët e Komunës së Prishtinës, kryetari Përparim Rama dhe vartësit e tij, që ta sqarojnë këtë çështje si dhe ta mbrojnë dhe ta zbatojnë në përpikëri kontratën e këtij projekti.
“Tarifat duhet të vendosën siç parashihet me marrëveshje dhe të sanksionohen shkelësit e kontratës”.