Mbi tre mijë konsumatorë të kyçur në ngrohtoren e qytetit në Prishtinë kanë instaluar pajisje matëse në radiatorët e tyre.
Konsumatorët në kryeqytet nga ky dimër nuk do të kenë më nevojë që të hapin dritaret nga ngrohja e tepërt në banesat ku jetojnë. 23 ekipet e autorizuara që nga korriku kanë filluar të trokasin në dyert e konsumatorëve për instalimin e këtyre pajisjeve, të cilat janë falas. Të njëjtit do të paguajnë faturën e ngrohjes varësisht nga konsumi, e jo nga metrat katrorë të hapësirës e cila ngrohet.
Aleate Statovci-Rrmoku jeton në Bregun e Diellit dhe tregon se ngrohja e tepërt viteve të kaluara u ka shkaktuar bezdi.
“Ne që 35 vjet kemi ngrohje. Ne ngrohje kemi pasur mjaft, na nervozoheshim se duhej t’i hapnim dritaret e derën edhe dimrit. Me mëngë të shkurtra kemi qëndruar ne gjithmonë. Tash besoj se stabilizohet pak”, ka thënë 70-vjeçarja.
Zëdhënësja e ngrohtores së qytetit “Termokos”, Afërdita Uka, ka thënë se që nga muaji korrik ka filluar faza implementuese e projektit “Prishtina Heat Save”.
“Tashmë ekipet e kompanisë punëkryese të cilat janë duke e realizuar këtë projekt janë të përhapura në të gjitha lagjet e qytetit ku operojmë ne me furnizimin me ngrohje. Janë diku 23 ekipe ku për çdo ditë vizitojnë banesat e konsumatorëve tanë sipas një plani tonë paraprakë të cilët e publikojmë nëpër rrjete sociale për t’i informuar konsumatorët tanë paraprakisht se ata në ditën e caktuar që planifikohet të vizitohet një hyrje apo një objekt banesor ata duhet të jenë në shtëpitë e tyre për të pranuar ekipet punë kryerëse që të instalojnë këto pajisje”, thotë ajo.
Uka shton se ky projekt do të mundësojë që konsumatorët të paguajnë aq sa konsumojnë, meqë deri më tani është konsumuar pa kontroll.
“Ky është një projekt shumë më i veçantë se gjithë të tjerët, pasi para se gjithash i mundëson kursimin e gjepit të ekonomive familjarëve të konsumatorëve tanë. Deri më tani pjesa më e madhe e tyre nuk ka investuar në ato valvulave, termo-rregulluese të cilat e rregullojnë temperaturën për brenda ambienteve të tyre banesore ngase ka qenë një sistem i stërvjetëruar i ngrohjes përbrenda objekteve banesore”, deklaroi zëdhënësja e Termokos-it.
Zëdhënësja e Termokos-it njofton se janë bërë të gjitha matjet teknike të nevojshme për vendosjen e këtyre pajisjeve.
Pjesa më e madhe e projektit të instalimit të këtyre pajisjeve pritet të përfundojë në fillim të muajit nëntor.
“Në bashkëpunim me ZRRE-në, jemi dakorduar që të gjithë konsumatorët tanë të kenë detyrimisht pajisje. Në të kundërtën nga sezoni i ardhshëm nuk do të lejohet që asnjë nga konsumatorët të jenë të kyçur në rrjetin e ngrohjes”, ka thënë ajo.
Në Prishtinë janë rreth 16 mijë konsumatorë të kyçur në ngrohtoren e qytetit “Termokos”.
Projekti “Prishtina Heat Save”, në vlerë prej më shumë se 9 milionëve financohet nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Komuna e Prishtinës. /ksp