Arbëri

LDK-ja akuzon për shantazh, VV-ja s’e voton buxhetin pa u hequr “arkitekti i qytetit”

Votimi i buxhetit komunal ka ngjallur debat e pakënaqësi mes pozitës e opozitës në Prishtinë.

Në seancën e Kuvendit Komunal të mbajtur të hënën, ku pikë e rendit të ditës ishte votimi i buxhetit, opozita ka lëshuar sallën, pasi nuk është pranuar nga kryetari i Prishtinës që të hiqet nga buxheti projekti “arkitekti i qytetit”.

Jeta Rafuna-Hasani kryetare e Grupit parlamentar të asamblistëve të LDK-së në Prishtinë, ka thënë se nuk i pranojnë kushtet, kërcënimet e as shantazhet, duke deklaruar se VV-ja duke bërë shantazh kërkoi të hiqet nga buxheti ky projekt.

Sipas saj, lëshimi i sallës tregoi se opozita është bllokuese e buxhetit për vitin 2023.

Ajo ka thënë se i kanë votat dhe buxheti mund të votohet. Ka folur edhe për trajtimin e qenve endacakë.

“Qentë endacakë ka qenë çështje në fokus e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Gjithashtu është bërë task-forcë edhe me komunën edhe me akterët e jashtëm lidhur me trajtimin e kësaj çështje. Besoj që shumë shpejt do të vihet me një zgjidhje për qentë endacakë”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka shtuar se është bërë praktikë e mirë që kryetari i Komunës së Prishtinës të raportojë para asamblistëve.

Ajo ka thënë se raporti 6-mujor pasqyron punët e kryera, ato që janë në proces dhe ato të planifikuara.

“Ka punë dhe investime kapitale që për vite të tëra nuk kanë pasur zgjidhje. Një prej punëve të tij është përfundimi i rrugës ‘Muharrem Fejza’. Gjithashtu është edhe rruga ‘A’, rregullimi i soliterëve, po ashtu është vënë në binar edhe spitali i ri i Prishtinës”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Rama e ka marrë Prishtinën në gjendje të rënduar.

Ajo ka thënë se shumë kontrata kanë qenë të bllokuara në OSHP dhe me rritjen e çmimeve shumë kontraktorë janë larguar.

Ka shtuar se nuk është e mundur që në vitin e parë të realizohen të gjitha premtimet.

Ndërkaq Gëzim Sfeçla kryetar i GP të asamblistëve të VV-së në Prishtinë ka thënë se është shpërfillur kërkesa e opozitës për konsultë lidhur me buxhetin, për të cilën ka shtuar se u detyruan ta lëshonin sallën.

Ai ka thënë se kanë kërkuar anulimin e projektit për konsulencë në vlerë 12 milionë euro, për çka ka shtuar se u kundërshtua nga Rama.

“Qytetari i Prishtinës e ka kuptuar gabimin që e ka bërë duke e zgjedhur kryetar Ramën. Si mund të shkojnë 12 milionë euro në konsulenca”, ka thënë ai.

Ka shtuar se është obligim ligjor që kryetari i komunës të raportojë.

Sipas tij, raporti i ngjante një albumi me 24 foto, ku në 14 prej tyre ishte kryetari Përparim Rama.

Ai ka thënë se është një lloj kozmetike dhe pa përmbajtje, duke shtuar se njësoj janë punët që i ka bërë Rama dhe ekipi i tij.

“Çka është e çuditshme, po del se të gjitha festivalet që mbahen në Prishtinë kanë ardhur me Ramën. Në përgjithësi është përshkrim i detyrave që i kanë drejtoritë. Pastaj është prezantimi i vazhdimit të punëve që kanë nisur nga qeverisja e kaluar dhe një program i dëshirave të mira që planifikohen për të ardhmen. Ne mendojmë që nuk ka punë të bëra”, ka thënë ai.

Sipas tij, nga 207 premtime që ka pasur gjatë fushatës, janë realizuar vetëm shtatë premtime.

Ai ka thënë se këto premtime të realizuara kanë të bëjnë me konkurse.

Sfeçla ka shtuar se vetëm Klina dhe Fushë-Kosova janë më keq se Prishtina në realizmin e premtimeve.

“Të gjitha këto të dhëna janë nga një organizatë që merret me qeverisjet e nivelit komunal. Rama kishte deklaruar që ndërmarrjet publike do të menaxhohen nga profesionistët dhe jo njerëzit partiak, kurse si kryeshef i Termokosit është emëruar një ish-asamblistë i LDK-së”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se për LDK-në në Prishtinë është ende në fushatë elektorale. Sipas tij, nuk mund të dëgjosh nga kjo parti se një punë është bërë, por shton se gjithmonë thonë se do të bëhet.