Arbëri

Rama për “Arkitektin e Kryeqytetit”: Shumë gjëra janë buxhetuar, por s’ka projekte

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për 12 milionë euro që ka ndarë për konsulencë për themelimin e shërbimit “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Kishte pasur shumë kritika për ndarjen e kësaj shume, veçanërisht nga opozita.

Rama në emisionin “038” në KTV, ka thënë se ky shërbim është i buxhetuar me buxhetin e vitit të ardhshëm dhe se është mëse e nevojshme. Ai ka thënë se shumë gjëra janë buxhetuar në Komunë të Prishtinës, por nuk ka projekte, ndërsa ka thënë se ka mungesë në administratë.

Më shumë se 105 milionë euro pritet të jetë buxheti i Prishtinës për vitin e ardhshëm.

“Numër i konsiderueshëm të projekteve janë në atë buxhet, normal jo të gjitha, pasi duhet buxhet edhe më i madh. Por, do ta bëjmë me vite me radhë. Projektet kryesore, si Rruga A është aty, projekti i ‘Arkitektit të Kryeqytetit’ është i buxhetum. Është bërë shumë zhurmë, pasi s’ka ndodhur më parë. Problemi kyç me kryeqytetin është se ka gjëra që janë buxhetuar, por s’ka pasur projekte. Nëse buxheton e s’ke projekt, atëherë s’mund ta realizosh. Duhet të kesh projekte, e pastaj të buxhetohen e kryhet punë. Administrata ka mungesë të madhe të stafit që të merret me numër të madh të projekteve të cilat duhen në kryeqytet. Për këtë arsye është mëse e nevojshme”, ka thënë Rama.