Arbëri

Komuna e Prishtinës, oferta milionëshe për angazhim të konsulentëve

12 milionë euro javë më parë dhe afro gjysmë milioni kësaj jave janë vlerat që në emër të Kuvendit të Komunës së Prishtinës janë ofertuar apo dhënë në shpalljet e publikuara në platformat e prokurimit. Por kryesuesi i Kuvendit ka mohuar që ky institucion ka lidhje me to. Bëhet fjalë për angazhim të konsulentëve për nevoja të Komunës, e ajo ka kohë që refuzon të japë informata rreth ofertave dhe angazhimeve të konsulentëve nga jashtë për kryerjen e punëve në Komunë.

Edhe pse autoriteti kontraktues për angazhimin e konsulentëve për menaxhim të projekteve, sipas dokumentacionit të e-prokurimit, është Kuvendi i Komunës së Prishtinës, kryesuesi i tij e mohon që ky institucion ka lidhje me kontraktimin e tyre.

Bëhet fjalë për njoftimin për dhënie të kontratës për shërbime për konsulencë 10 ekspertëve për menaxhim të projekteve për nevojat e Komunës, vlera e parashikuar e të cilit është 400 mijë euro për tre vjet. Sipas njoftimit, tashmë janë angazhuar 6 individë të cilët do të paguhen nga 32 deri në 36 mijë euro.

Por kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, Fehmi Kupina, ka mohuar që ky institucion, ndonëse në dokumente identifikohet si autoritet kontraktues, qëndron prapa angazhimit të konsulentëve për 400 mijë euro, apo edhe thirrjes për ofertim të bërë në emër të Kuvendit javë më parë për tenderin 12 milionësh. Ai ka thënë se është në pushim dhe se nuk i ka parë njoftimet.

“Jo, nuk është Kuvendi, por për informata më të sakta është zyra për informim, atë thirreni, aty t’i japin krejt”, ka thënë Kupina.

Zyra për media e Komunës as të enjten sikurse asnjë ditë tjetër nuk ka kthyer përgjigje lidhur me tenderët e kontratat në fjalë. Komuna nuk ka dhënë sqarime as për natyrën e punëve që do të kryejnë të angazhuarit dhe as shpalljen e tyre në emër të Kuvendit, pavarësisht faktit që ato nuk janë vënë fare në diskutim në këtë institucion.

KOHA ka kontaktuar edhe Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik po as ata nuk kanë sqaruar kundërthëniet në këto raste.

Në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë thënë se nuk i mbikëqyrin procedurat tenderuese të komunave.

“Jo, asnjë bazë ligjore nuk kemi dhe nuk guxojmë të përzihemi në planifikimet e komunave për prokurim, sepse Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale u jep autonomi komunave në funksionim”, ka thënë këshilltari i ministrit, Elbert Krasniqi, Fidan Kalaja.

Dyshime mbi procedurat tenderuese që janë zhvilluar në emër të Kuvendit të Komunës ka ngritur opozita në Prishtinë.

Për tenderin 12-milionësh Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të bëjë padi, ndërsa e pati kundërshtuar edhe AAK-ja. Dyshime për keqpërdorime ka ngritur asamblisti Gëzim Sveçla, edhe për shpalljen e fundit të angazhimit të konsulentëve për afro gjysmë milioni euro.

Në tenderin 12 milionësh është paraparë të angazhohet një kompani për konsulta për themelimin e shërbimit të arkitektit të kryeqytetit. Në fund të muajit të kaluar, në emër të Kuvendit Komunal të Prishtinës, është bërë njoftimi për kontratë, për këtë procedurë të prokurimit.

I vetmi përshkrim i punës që do të bëhet për 12 milionë euro është “Konsulencë për themelimin e shërbimit të arkitektit të kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës sipas përshkrimit teknik”.