1 perditesime
23:31

Sveçla: Po përgatisim kallëzimin penal ndaj Ramës për projektin 12 milionësh për këshillim

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka njoftuar se partia prej nga vjen është duke përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për të ngritur kallëzim penal për projektin e Komunës që të ndahen 12 milionë euro për këshillim.

I ftuar të martën në Interaktiv të KTV-së, Sveçla e ka cilësuar këtë projekt si skandalin më të madh financiar në tetë muaj qeverisje të Përparim Ramës në kryeqytet.

Ai ka shtuar se Rama me këtë projekt po bën keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Skandali më i madh financiar në këto 8 muaj nga qeverisja e z.Rama dhe koalicionit PDK-LDK. Po flasim për 12 milionë euro për tri vjetët që kanë të bëjnë me konsulencë për krijimin e një zyre të arkitektit të kryeqytetit. Ne me grupin tonë të juristëve në LVV jemi duke përgatitur dokumentacionin e nevojshëm që të ngremë kallëzim penal për këtë çështje, jemi të bindur se kemi të bëjmë me keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kallëzimi penal do të bëhet në drejtim të kryetarit të Prishtinës”, ka thënë ai.

Sveçla ka shtuar se ndarja e 12 milionë eurove do të bëhet vetëm për këshillim rreth krijimit të zyrës, por jo edhe me krijimin e saj.

“E tërë konsulenca ka të bëjë me krijimin e zyrës, nuk po krijohet zyra por vetëm po merren këshilla se si të krijohet ajo zyrë, pastaj çështja e krijimit të zyrës sigurisht që do të sjellë shpenzime të tjera. Vlera është rreth 12 milionë, që i bie rreth 300 mijë euro në muaj dhe mënyra e tenderimit është me procedurë të kufizuar ku do të kërkohen aplikimi i vetëm gjashtë operatorëve ekonomikë dhe kjo lë shumë për të dyshuar. Nëse e krahasojmë këtë, i bie që ka të bëjë me 13 për qind të buxhetit komunal të përgjithshëm, ku përfshihet pagat, mëditjet, investimet kapitale dhe të gjitha, 13 për qind po shkojnë në konsulencë”, ka thënë ai.

Më tej asamblisti i VV-së ka thënë se Prishtina ka prioritet disa probleme tjera jetike për banorët.

“Do të kërkojmë masën e pezullimit të këtij projekti deri në sqarimin e tij të plotë. Ka ë bëjë me fushën profesionale prej nga vjen kryetari. Prishtina i ka prioritet disa probleme tjera jetike për banorët si rruga me gropa, ndriçimi, trafiku urban, që duhet të trajtohen para planeve të tilla”, është shprehur ai.

Sipas Sveçlës, prej periudhës janar-qershor, Komuna e Prishtinës ka shfrytëzuar vetëm 6 për qind të investime kapitale, gjë që e bën të jetë një prej komunave me realizimin më të ulët të këtyre investimeve.

23:14

Asamblisti i VV-së në Prishtinë: Përmes tenderëve për konsulencë po bëhet punësimi i familjarëve

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka thënë se Komuna e Prishtinës ka ndarë edhe 400 mijë euro për konsulencë dhe se në mesin e përfituesve janë ish-kandidatë për asamble dhe familjarë e të afërm të zyrtarëve komunalë.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se ky tender është vazhdim i keqpërdorimit të parasë publike nga pushteti aktual.

“Rasti i fundit është një kontratë për konsulencë për mbikëqyrje të projekteve, vlera 400 mijë euro për 3 vjet, kurse sipas kritereve bëhej fjalë për 10 ekspertë kurse si fitues ishin shpallur 6 prej tyre. E çuditshme është se ata emra janë të njohur për jetën publike politike në kryeqytet. Edhe kjo është në vazhdën e keqpërdorimeve të parasë publike”.

Sveçla tha se asnjë projekt nuk është duke u zhvilluar që nga kryetari i komunës, Përparim Rama, që nga marrja e detyrës.

“Kur nuk shohim projekte që po zhvillohen, definitivisht kemi keqpërdorim të parasë publike. Ajo që pamë në dosjen e publikuar është se kërkohen mbikëqyrës të projekteve por nuk flitej për çfarë projekte”.

Sipas tij, problemi qëndron se dhënia e kontratave të tilla po bëhet dukuri.

“Problematika është se po bëhet si dukuri kjo. Është ende në procedurë një tender tjetër 12 milionë që ka të bëjë me konsulencë. Ndërkohë të njëjtit këta 10 persona që kërkohen në thirrjen e fundit, thirrja ka të bëjë me mbikëqyrës të projekteve, për thirrjen e njëjtë të njëjtën persona... përfituesit janë persona të afërt me pushtetin. Ka ish-kandidatë për asamble, familjarë të zyrtarëve komunale”, tha ai.

Sveçla theksoi se përmes këtij tenderi është synuar punësimi i personave të cilët nuk kanë mundur t’i punësojnë sipas rregullit, por që kanë gjetur këtë mënyrë.

“Është bë një lloj punësimi i këtyre personave sepse nuk ka pasur mundësi ligjore të veprohet ndryshe dhe e kanë shpikur këtë fjalën konsulencë dhe janë pranuar këta persona që janë të afërt me persona në pushtet. Janë mbi 1 mijë euro në muaj për 3 vjetët e ardhshme”.