Arbëri

Rekomandohet që “Sunny Hill” të mos mbahet në Peizazhin e Mbrojtur të Gërmisë

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës ka rekomanduar që festivali “Sunny Hill” të mos mbahet në Peizazhin e Mbrojtur të Gërmisë, por në një lokacion tjetër.

“Qytetarët Aktivë” kanë publikuar dokumentin që është protokolluar më datën 13 korrik.

“Ju njoftojmë që sot kemi pranuar dokumentin e protokolluar të datës 13.07.2022 nr. 4008/22, lidhur me mbajtjen e Festivalit Sunnyhill në Gërmi nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, të cilët kanë rekomanduar të shqyrtohet dhe të mbahet në një lokacion tjetër ky festival e JO në Peizazhin e Mbrojtur të Gërmisë, për të mos dëmtuar biodiversitetin dhe llojet e egra strikt të mbrojtura të florës dhe faunës”, thuhet nga Qytetarët Aktivë.

Në rekomandimin e Institutit thuhet që për të mos dëmtuar peizashin e Gërmisë dhe biodiversitetin e duke marrë për bazë edhe problemet mjedisore që e shoqëruan organizimin e “Sunny Hill” në të kaluarën, i rekomandon organizatorëve që të shqyrtohet edhe njëherë që festivali të mos mbahet jashtë Peizazhit të Mbrojtur të “Gërmisë”.

Festivali “Sunny Hill” është paraparë të mbahet nga 4 deri më 7 gusht në Parkun e Gërmisë. Vendimit që të mbahej në Gërmi i parapriu një sagë që u përcoll me anulim fillimisht për shkak të telasheve me pronën në Shkabaj e më pas me marrëveshje që edhe sivjet të mbahet në Gërmi deri në zgjedhjen përfundimtare të lokacionit.