Në lagje dhe fshatra të Prishtinës ka filluar reduktimi i ujit të pijshëm për disa orë.
KRU “Prishtina” ka njoftuar se kjo po bëhet për shkak të shpenzimit enorm të ujit.
"Për shkak të temperaturave të larta dhe shpenzimit enorm të ujit të pijshëm si rezultat i keqpërdorimeve të formave të ndryshme, jemi detyruar të fillojmë me reduktime të furnizimit me ujë në disa zona të shërbimit”, thuhet në njoftim.
Orari ndërron varësisht prej kushteve atmosferike dhe vetëdijesimit për përdorim të drejt të ujit të pijshëm, sipas ujësjellësit.
Orari i reduktimeve për fshatrat në gypin magjistral Albanik-Prishtinë:
Nga ora 18:00-06:00 reduktohet furnizimi me ujë të pijshëm për këto fshatra: Majac, Bajgorë, Humollët, Lupç, Lagjja e Re, Sallabajë, Shakovicë, Lluzhan, Godishnjak, Barilevë, Prugovc, Lebanë, Drenoc, Besia, Vranidoll, Gërvallë, Kikaj, Kelan, Verbovc, Kozaricë, Pirevët, Bardhosh, Milevc, Batllavë 1 dhe 2, Bellopojë 1 dhe 2, Tërrnavë , Halabak dhe fshati Penuh.
Orari i reduktimeve për komunën e Graçanicës.
Nga ora 23:00-05:00 reduktohet furnizimi me ujë për Graçanicën, Sushica, LlapnaSella dhe Preoci.
Nga ora 18:00-22:00 reduktohet furnizimi me ujë për LLapnasella, Preoc, Bizneset në magjistralen Prishtinë-Lipjan në mënyrë që t’u mundësohet furnizimi me ujë për konsumatorët e fshatit Sushicë dhe Badoc.
Orari i reduktimeve për komunën e Prishtinës
Nga ora 16:00-22:00 reduktohet furnizimi me ujë për lagjen Nic, Qershia, Çagllavica, Qëndresa, Marigona 2, Rezonanca-Janina.
Nga ora 22:00-07:00 reduktohet furnizimi me ujë për fshatin Hajvali gypi 160 mm.
“Çdo reduktim i ujit jashtë këtij planifikimi rezulton me keqpërdorim të ujit nga persona të papërgjegjshëm”, thuhet në fund të njoftimit.