Arbëri

Komuna e Prishtinës: Kemi shpenzuar dhjetëfish më shumë buxhet se vitin e kaluar për qentë endacakë

Komuna e Prishtinës ka thënë se zgjidhja e problemit me qentë endacakë ka qenë dhe vazhdon të jetë prioritet për Komunën e Prishtinës, që nga fillimi i mandatit të qeverisjes së re lokale.

Sipas njoftimit, komuna e Prishtinës ka shpenzuar buxhet dhjetëfish më shumë se vitin e kaluar për qentë endacakë.

Komuna thotë se kanë hartuar strategjinë kornizë 10-pikëshe për trajtimin e qenve endacakë, përkrahur nga të gjithë akterët, brenda dhe jashtë komunës, e të cilën tani po e zbatojmë në bashkëpunim me të gjithë akterët komunal, rajonal dhe kombëtar.

“Është nënshkruar në fillim te vitit marrëveshja me operatorë të jashtëm ekonomik për trajtimin e 700 qenve endacakë, e cila tanimë ka përfunduar. Jemi afër përfundimit të procesit të tenderimit të 7 lloteve (rreth 350 mijë euro) për trajtimin e qenve endacakë. Pra, tani e tutje nuk do të ketë kufizime si më parë, por do të trajtohen të gjithë qentë endacakë. Kemi organizuar në fillim të vitit tryezë të rrumbullakët për qentë endacakë, në të cilën kanë marrë pjesë të gjithë akterët që kanë të bëjnë me këtë çështje: niveli lokal e qendror, Asociacioni i Komunave të Kosovës, AUVK, organizata e veterinerëve, shoqëria civile, ekspertët ndërkombëtarë, etj. Kemi nënshkruar vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në çështjen e qenve endacakë, në mënyrë që të na mundësojë që në raste të caktuara dhe emergjente të mund të veprojmë shpejtë”, thuhet në njoftim.

Komuna thotë se kanë ngritur pikat ushqyese nga 5 në 23 pika, të cilat janë vendosur kryesisht në pikat me koncentrim më të madh të qenve endacakë dhe në rrugët hyrëse në kryeqytet. Gjithashtu njoftohet se është formuar TASK-FORCA e brendshme komunale për trajtimin e qenve endacakë.

Komuna thotë se kanë themeluar grupin punues me akterë nga jashtë, siç janë MAPL, MBPZHR, PK, AKK, AUVK, organizata e veterinerëve, shoqëria civile.

“Jemi në proces të dizajnimit të mënyrës së monitorimit të gjithë veprimtarisë sonë në këtë çështje nga ana e sektorit jo-qeveritar, për çfarë edhe do të nënshkruajmë një memorandum të bashkëpunimit. Është në proces të tenderimit ndërtimi i qendrës për trajtimin e qenve, e filluar por e parealizuar nga qeverisja e kaluar, për shkak të problemeve teknike; Jemi në dispozicion për të bashkëpunuar ngushtë me nivelin qendror, si dhe me konsulentët nga BE, për hartimin e strategjisë komunale dhe kombëtare, si dhe ndryshimin e nevojshëm të rregullativës – na është thënë nga MAPL se priten rezultate në fund të qershorit, 2022; Jemi në fazën e konsultimeve me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) në lidhje me fillimin, që pritet të ndodhë shpejtë, e procesit të regjistrimit të qenve me pronarë, përfshirë rolin tonë në këtë çështje me rëndësi të jashtëzakonshme”, thuhet tutje në njoftim.

komuna e Prishtinës ka thënë se Kuvendi Komunal tanimë ka aprovuar fillimin e procedurave për një qendër tjetër gjithëpërfshirëse rajonale dhe të përhershme për trajtimin e qenve, si atyre endacakë, ashtu edhe atyre me pronarë – Strehimorja e Kafshëve.

Sipas njoftimit, deri më tani askush nuk ka mbledhë informata të sakta mbi numrin e qenve endacakë në Prishtinë e as në Kosovë. Jemi gati të koordinohemi me nivelin qendror në këtë çështje.

njoftohet se shifra e mjeteve të ndara dhe te planifikuara deri më tani për këtë vit është 753 mijë euro që është më e madhja ndonjëherë, apo dhjetëfish më e lartë se vitin e kaluar.

“Mjetet financiare të alokuara apo të planifikuara për vitin 2022: Realizimi i kontratës në vlerë prej 50,000.00€ - tanimë janë trajtuar 700 qenë endacakë; Realizimi i projektit për 23 pikat ushqyese në vlerë prej 70,000.00€, i paraparë të realizohet tërësisht në kuadër të këtij viti kalendarik; Ndërtimi i Qendrës për Trajtimin e Qenve Endacakë, i cili është në procedurë të prokurimit, në vlerë prej 249,000.00€. Trajtimi i qenve endacakë në 7 lote, me metodën KSVL, i cili është në procedurë të vlerësimit, në vlerë prej 350,000.00€; Vendosja e mikroçipave për qentë endacakë, në vlerë prej 34,000.00€, tani në procedurë. Vlera totale e mjeteve të shpenzuara dhe të zotuara për këtë vit është 753,000.00€”, thuhet në njoftim.