Arbëri

Prishtina kërkon ekspertë të jashtëm për të përzgjedhur drejtorët e shkollave dhe çerdheve

Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë ka bërë thirrje publike për ekspertë të jashtëm për të marrë pjesë në procedurat e rekrutimit të drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet arsimore në kryeqytet.

Sipas një njoftimi nga Komuna e Prishtinës, kjo është hera e parë që ndodh një gjë e tillë.

“Duke e bërë këtë, ne jemi duke vendosur një standard të ri në udhëheqjen e arsimit në Prishtinë. Drejtoresha e Arsimit zonja Besianë Musmurati konsideron se menaxhimi i shkollave është jetik për funksionim të mirëfilltë të arsimit. Edukimi dhe arsimimi i fëmijëve të Prishtinës lidhet ngushtë me mënyrën e funksionimit dhe menaxhimit të shkollave dhe çerdheve. Prandaj, është me rëndësi tejet të madhe që procesin e emërimit të drejtorëve dhe zëvendës-drejtorëve të shkollave ta bëjmë sa më transparent dhe gjithëpërfshirës”, thuhet në njoftim.

Së fundmi ka pasur në disa raste raportime për telashe me çështjen e konkurseve për drejtorë.

Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, “Konkretisht, Ambasada Britanike përmes Projektit të Rekrutimit për emërime të zyrtarëve të lartë, do të mbështesë komisionin rekrutues që do të bëjë përzgjedhjen e drejtorëve, duke ofruar trajnime profesionale se si duhet të zhvillohen proceset rekrutuese bazuar në meritë”.