Arbëri

Komuna premton rinovimin e shtegut në “Arbëri”, që u prish dy muaj pasi u shtrua

Descriptive Text

Pas raportimit të KOHËS për dëmtimin e shtegut për vrapim në parkun kryesor të “Arbërisë”, Komuna e Prishtinës është shfajësuar, duke dërguar edhe një e-mail.

Halil Fejziu, i cili edhe mandatin e kaluar ka punuar në Drejtorinë e Investimeve Kapitale, ka thënë se komuna kishte paralajmëruar grupin e operatorëve ekonomik të mos shtrohet goma në temperatura të ulëta, mirëpo ka vazhduar punën, duke garantuar për kualitetin. “Duke u nisur nga shkrimi juaj për shtegun në Arbëri, ju njoftoj se goma e këtij shtegu është vendosur në temperatura të ulëta edhe përkundër vërejtjeve që mos të vendoset. O.E. ka marr përsipër (për të garantuar) kualitetin. Me t’u vërejtur dëmtimet pas sezonit dimëror, ekipi i menaxhimit ka pasur takime me O.E., kështu që tani me përmirësim të kushteve atmosferike dhe ngritjes së temperaturave, për të cilën është e domosdoshme puna me këtë material, (dyshemeja prej gomës së ricikluar) ka filluar riparimi”, ka thënë ai.

Sipas tij, periudha garantuese në kontratë është 5 vjet.

Shtegu për vrapim në parkun e “Arbërisë”, i cili ka kushtuar mbi 123 mijë euro, është shtruar në dhjetor të vitit të kaluar. Dëmtimi i tij ka nisur pas dy muajve.