Leotrim Retkoceri, asamblist i PDK-së në Komunën e Prishtinës, ka thënë se ka vullnet të mirë të qeverisjes që të trajtojë problemet e ndërmarrjeve publike.
Ai ka thënë se në tetor të vitit të kaluar me grupin e PDK-së kanë dorëzuar një propozim për inicimin e plotësimit të rregullores. Sipas tij, rregullorja për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve në Prishtinë nuk është rregullore e ndërmarrjes publike, por rregullore që rregullon çështjen e parkingjeve në gjithë territorin e Prishtinës.
Retkoceri ka thënë se projekti “Prishtina Parking” është i nevojshëm dhe projekt i mirë, por sipas tij, ky duhet të implementohet.
“Ne e kemi parë që në implementim dhe zbatim nuk po shkon në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka hapësira që kjo ndërmarrje të operojë më mirë. Ka hapësirë për kritere shtesë që ta mbrojnë banorin e Prishtinës. Zhvillimi i projektit të ‘Prishtina Parking’ po shkon në avaz të njëjtë, përkundër që në disa lagje mund të ketë probleme”, ka thënë ai.
Sipas tij, disa probleme që lindin pastaj janë edhe shënjimi për parking, mungojnë shiritat, por edhe leja që e bënë Inspektorati komunal i Prishtinës.
Retkoceri ka thënë se ndërmarrja nuk duhet të fokusohet se sa inkason por çfarë shërbime jep për qytetarët.
“Në momentin kur qytetarët nuk kanë mundur të paguajnë për veturën e dytë nuk duhet të konfiskohen veturat dhe të gjobitën qytetarët. Duhet të kihet kujdes me banorët sepse kjo realisht bëhet për të mirën e banorëve. Rregullorja ka ardhur në fund të mandatit të kaluar dhe qëllim i saj ka qenë në interes të qytetarëve të Prishtinës. Është e sponsorizuar nga qeverisja e kaluar. Ne e kemi përkrahur si tërësi. Ne do të kërkojmë që të rregullohet në mënyrë të veçantë rregullorja për secilën lagje”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se konfiskimi i automjeteve dhe marrja me merimangë nuk është i paraparë me rregullore.
Sipas tij, banorët e kanë shfrytëzuar hapësirën në lagje për ta lënë veturën që një kohë të gjatë, duke shtuar se projekti “Prishtina parking” duhet të zbatohet mirë.