Arbëri

Paralajmërohet asgjësimi i dokumenteve, kundërshton shoqëria civile

Për vite të tëra janë grumbulluar në këtë zyrë gjithë këto dokumente.

Sipas Komunës së Prishtinës, këtu ruhen të gjitha dokumentacionet ndërtimore, projektet konceptuale, ideore të cilat nuk janë miratuar apo për të cilat nuk është lëshuar leja.

Pasi ka vite që kanë mbetur aty, Drejtoria e Urbanizmit ka paralajmëruar se do të asgjësohen të gjitha ato dokumente.

Tërheqja e tyre ka qenë e mundur deri më 11 mars, pas kësaj date të gjitha këto do të asgjësohen.

“Para fillimit të procesit për asgjësimin e këtij dokumentacioni, Drejtoria e Urbanizmit fton të gjithë aplikuesit për tërheqjen e këtij dokumentacioni ndërtimor”, thuhej në njoftimin e tyre.

Kjo ka ngjallur reagim te qytetarët. Ka disa prej tyre që kërkojnë që këto të mos asgjësohen, por të ruhen në Arkivin komunal.

“Qysh asgjësohen dokumentet? Kjo është diçka e pashembullt dhe pa pikën e përgjegjësisë. Te paktën duhet t'i digjitalizoni. Si komunë, qeveri lokale, duhet gjithmonë t'i mbani evidencat dhe dëshmitë. Kur ndodh ndonjë rast kontestues mbas disa viteve, çfarë i thoni qytetarit apo gjykatave? M’falë, s’kemi prova, se i kemi asgjësuar. Komuna e Prishtinës do t’i asgjësojë dokumentacionet ndërtimore të cilat gjendet në Drejtorinë e Urbanizmit për 20 vjet me radhë”, është reagimi i Arbër Halilit.

Por Drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki, thotë se ato nuk janë dokumente por projekte, të cilat, sipas ligjit, duhet t’i rikthehen palës.

Këto projekte, sipas Sadikit, është e nevojshme të largohen për t’i liruar hapësirat e Drejtorisë së Urbanizmit.

“Bëhet fjalë për projekte që palëve iu është refuzuar projekti dhe nuk kanë arritur të realizojnë atë. Sipas ligjit, ai projekt duhet t’i kthehet palës dhe iu është kthyer, por ata nuk kanë ardhur t’i marrin. Realisht ato nuk kanë ndonjë vlerë dokumentuese, janë të paprotokolluara dhe kanë zënë një hapësirë shumë të madhe brenda Drejtorisë së Urbanizmit, kurrfarë vlere dokumentuese nuk kanë”, tha Sadiki.

Sipas tij, dokumentacionet që faktojnë procesin e lejes do të ruhen, por do të asgjësohen ato të cilat palët nuk janë interesuar t’i tërheqin.

“Dokumentacionet që faktojnë procesin e lejes ndërtimore sigurisht që ruhen në Arkivin e Urbanizmit e pas 30 vjetësh shkojnë në Arkivin komunal të Prishtinës. Këtu bëhen fjalë për disa projekte që janë prej pas luftës dhe nuk i ka interesuar askujt t’i marrë, megjithëse e kanë pasur për obligim t’i marrin. Pafundësisht ato nuk mund të qëndrojnë aty, plus nuk ka kurrfarë logjike që të ruhen ato, sepse nuk ka kurrfarë logjike, sepse nuk paraqesin bazë dokumentuese të asgjëje. Nëse një palë ka aplikuar për një projekt dhe ndërkohë Urbanizmi i ka thënë se duhet të bëjë përmirësime dhe në këtë mënyrë pala ka ardhur me një projekt tjetër, mirëpo nuk e ka tërhequr fare këtë tjetrin i cili është bërë barrë për hapësirat tona të cilat na duhen. Nuk flitet për kurrfarë dokumentesh, nuk flitet për kurrfarë procesi. Tamam puna të zhduken gjëra të tilla, të cilat janë tejet të rëndësishme për të pasur akses në to. Këto materiale nuk kanë vlerë dokumentuese”, tha Sadiki.

Në lidhje me këtë nuk kanë ndonjë përgjigje as nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Sipas tyre, ligji nuk e specifikon ndonjë normë rreth kësaj.

“Dispozitat e legjislacionit nga fusha e ndërtimit nuk specifikojnë ndonjë normë rreth kësaj çështjeje. Ndërsa sa u përket dispozitave të tjera nga legjislacioni tjetër i përgjithshëm ne nuk jemi kompetentë që të japim interpretim”, thuhet nga MMPHI-ja.

Afati kohor për tërheqje ka filluar nga 1 marsi dhe do të bëhet në sportelin e katit të III-të, në Komunën e re, çdo ditë punë duke filluar nga ora 9:00.